Spanjë, rritet bilanci i viktimave, reshje të reja pas përmbytjeve katastrofike
Rritet bilanci i viktimave nga përmbytjet në Spanjë...

Rritet bilanci i viktimave nga përmbytjet në Spanjë. Numri i personave të zhdukur ende nuk është përcaktuar, përpjekjet e shpëtimit vazhdojnë. Ndihmat tokësore, detare dhe ajrore po përforcohen edhe 500 ushtarë të tjerë nga njësia e emergjencës janë bashkuar në terren.
Shërbimet e ujit dhe energjisë elektrike po rikthehen. Pothuajse 40 persona u arrestuan për grabitje pavarësisht mungesës së ushqimit.
“Siguria e popullatës është më e rëndësishmja për ne. Ne kemi vënë në dispozicion të gjitha burimet e Qeverisë për të hapur rrugët dhe autostradat komunale për të siguruar produktet e nevojshme dhe shpërndarjen e tyre.”, - deklaroi ministri i Politikës Territoriale i Spanjës, Anhel Viktor Torez.
Rreziku nga stuhia Dana ende ekziston, thonë autoritetet dhe bëjnë thirrje për vigjilencë. Rajoni i Katalonjës është ende në fazën portokalli, për shkak të njoftimeve për reshje të reja.
Ekspertët pohojnë se ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu i bëjnë reshjet në Spanjë rreth 12 për qind më të bollshme dhe intensiteti i stuhive dyfishohet.
Ata paralajmërojnë se fatkeqësitë e motit do të bëhen më të pashmangshme me rritjen e ngrohjes globale të planetit.
“Gjërat më efektive që mund të bëjmë tani, ndërsa përpiqemi të ndryshojmë ngrohjen globale në terma afatgjatë, është të studiojmë kufijtë e fatkeqësive natyrore ekstreme që mund të ndodhin në këtë klimë të ndryshuar, gjë që do të rrisë ndërgjegjësimin për pasojat.”, - theksoi Andreu Uinters nga Universiteti “Kolorado Bolder”.
Në juglindje të Spanjës, për 8 orë ka rënë aq shi sa do të binte në një vit mesatar në këtë rajon, theksuan ekspertët e motit.
“Ne vlerësuam se ngjarje si kjo kishin dy herë më shumë gjasa të ndodhin në krahasim me kohërat paraindustriale kur klima ishte 1.3 gradë më e ftohtë. Kam dëgjuar njerëz që thonë se kjo është normalja e re. Por, duke qenë se jemi në rrugën e duhur për 2.6 gradë ngrohje, jemi vetëm në gjysmë të rrugës drejt normales së re, dhe ngjarje si kjo do të bëhen më ekstreme dhe më të shpeshta, ndërsa bota vazhdon të ngrohet.”, - u shpreh ekspertja e motit, Klare Barnes.
Fatmirësisht, Aragon iu shmang skenarit të përjetuar nga Valencia dhe Andaluzia. Diga romake e ndërtuar 2 mijë vjet më parë dhe struktura e saj me shkallë nuk lejoi që uji të vërshonte dhe arriti të shpëtojë Saragozën nga fatkeqësia. (Flutura Latifi, TVM2)
