Maqedoni

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare 2025, Mickoski Ahmetit: Përgjegjësi, e jo zgjedhje

02.11.2024 15:29

Në vend të zgjedhjeve, të përgatiten për përgjegjësi...

Kryeministri Hristijan Mickoski këtë porosi ia adresoi Bashkimin Demokratik për Integrim pas riaktualizimit të kërkesës për zgjedhje të parakohshme. Kryeministri konsideron se kërkesa e opozitës shqiptare për zgjedhje vjen nga frika e tyre kundrejt betejës së qeverisë kundër krimit dhe llogaridhënies.
 
“Unë e kuptoj se udhëheqësia e BDI-së nuk dëshiron që të jetë në opozitë dhe të frikësuar se përfundimisht e ndjenjë edhe ata vendosshmërinë e qeverisë për luftën kundër krimit dhe korrupsionin, e dijnë se gjithçka që kanë bërë 20 vitet e fundit. Janë të vetëdijshëm dhe e dijnë se ngadalë dhe sigurt vjen dita kur duhet të jenë të përgjegjshëm. Andaj, si rezultat i kësaj frike ata inkurajojnë veten dhe mendojnë se në këtë formë do të tërheqin më shumë votues. Porosia ime deri te ata është: të përgatiten për përgjegjësi, ndërkaq për zgjedhje, kur të vijë koha do të përgatitemi”, u shpreh kryeministri Hristijan Mickoski.
 
Reagimi i kryeministrit Mickoski erdhi pas deklaratës së një dite më parë të liderit të BDI-së Ali Ahmeti në një takim me banorët e Bogovinës, se mbështet idenë e kryeministrit Mickoski që në tetor të vitit të ardhshëm së bashku me zgjedhjet lokale të mbahen edhe parlamentaret.
 
Nuk kanë munguar as reagimi i zëvendës kryeministrit të parë Izet Mexhiti, i cili në rrejte sociale ka sugjeruar BDI-në të përgatitet për të qenë gjatë kohë në opozitë dhe t’i kthehen reformës së brendshme duke pastruar rradhët nga krimi i organizuar dhe korrupsioni.   
 
Ndërkaq nga LSDM, janë të përmbajtur. Për çështjen në fjalë do të prononcohen në një konferencë për media ditën e hënë.
 
MERAL ISMAILI