Maqedoni
Reformat në gjyqësi, VMRO: KGJ po pushton akademinë
02.11.2024 16:27
Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli i Prokurorëve Publikë vazhdojnë të ndërmarrin...

Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli i Prokurorëve Publikë vazhdojnë të ndërmarrin hapa dhe të veprojnë në drejtim të uljes së besimit të qytetarëve tek gjyqësori akuzojnë nga VMRO-DPMNE. Mile Lefkov nga kjo parti thekson se Këshilli Gjyqësor e pushtoi me paturpësi Akademinë e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve Publikë ku në vend që të emëronte ndonjë gjykatës si anëtarë të Bordit drejtues të Akademisë, në atë pozitë caktuan anëtaren e Këshillit Gjyqësor, Antoaneta Dimovska. Kjo e fundit sipas VMRO-DPMNE-së është funksionare e emëruar dhe njëherit motra e deputetës së LSDM-së, Snezhana Kallevska Vançeva.
“Ligji është i qartë. Antoaneta Dimovska nuk mund të jetë anëtare e Bordit drejtues të Akademisë së Gjyqtarëve dhe Prokurorëve Publikë. A e ka motivuar Këshillin Gjyqësor lidhja e saj familjare me një deputet të LSDM-së që ta emërojë atë anëtare të Bordit të Akademisë, edhe pse nuk i është e lejuar një gjë e tillë? LSDM-ja duhet të thotë se cila është përfshirja e tyre në këtë zgjedhje, Dimovska duhet të japë dorëheqje, dhe Këshilli Gjyqësor të mbajë përgjegjësi kolektive për këtë ndërhyrje në sistem”, u shpreh Mile Lefkov nga VMRO-DPMNE.
Menkinovski: Duhet përgjegjësi individuale
Përdersia pushteti insiston në reforma gjyqësore ku parashihet edhe shpërbërja e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit të Prokurorëve, avokati Toni Menkionvski, vlerëson se nevoitet sistem i meritave dhe përgjegjësi individuale.
“Është e nevojshme të kërkohet përgjegjësi individuale, ky është qëndrimi im personal. Përgjegjësia individuale është shumë e rëndësishme për secilin Gjykatës. Ka gjykatës që punojnë dhe e duan punën e tyre. Sistemi i vetingut sipas meje nuk është në rregull pasi së pari është i pasuksesëshëm dhe e dyta është abstrakt. Duhet konkretisht të keni qasje te secili gjykatës dhe prokuror për atë se si e ka kryer funksionin nëse kanë shkaktuar dëm me punën e tyre”, theksoi avokati Toni Menkinovski.
Në vend akoma sundon nepotizmi dhe lidhshmëria në këto sfera, si bastion i fundit i socializmit i cili duhet të rrënohet që të ndërtohet një shoqëri demokratike, vlerëson Menkinovski.
FLORIE BELULI KAMBERI
