Maqedoni
Mungesa e kapaciteteve për negociata, MÇE: Punojmë në strategji
03.11.2024 14:31
Raporti i progresit për Maqedoninë e Veriut për herë të parë thekson fuqishëm...

Raporti i progresit për Maqedoninë e Veriut për herë të parë thekson fuqishëm mungesën e kapacitete administrative për zhvillimin e negociatave. Në dokumentin e Komisionit Evropian kërkohet nga vendi që të vazhdojë forcimin e strukturave të saja negociuese të BE-së dhe të arrijë një koordinim më të mirë me të gjitha ministritë dhe institucionet relevante, të cilat zhvillojnë ekspertizën lidhur me legjislacionin e BE-së në të gjithë Administratën Publike.
Ministria e Eurointegrimeve, e pyetur nga TVM2 nëse ka ndonjë strategji për tejkalimin e kësaj sfide, me përgjigje se ky dikaster është vënë në angazhim të sigurimit të burimeve të nevojshme në negociata. Një mbështetje pritet ta marrin edhe nga bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë, në sigurimin e mbështetjes teknike dhe financiare.
“Ne si Ministri për Çështje Evropiane po ndërmarrim hapa të rëndësishëm për të adresuar këtë çështje. Strategjia jonë për përforcimin e kapaciteteve negociuese përfshin jo vetëm rritjen e burimeve njerëzore, por edhe zhvillimin profesional të tyre përmes trajnimeve dhe programeve të avancuara për stafin e angazhuar drejtpërdrejt në procesin e integrimit në BE. Një komponent kyç i kësaj strategjie është edhe Politika për Mbajtjen, Motivimin dhe Avancimin e Nëpunësve Administrativë (Retention Policy), që synon të krijojë një mjedis pune motivues dhe mbështetës për stafin ekzistues. Kjo politikë është dizajnuar për të ruajtur ekspertizën e fituar, duke ofruar mundësi për zhvillim të vazhdueshëm dhe përparim profesional.”, thuhet në qëndrimin me shkrim lëshuar nga Ministria për Eurointegrime.
Administrata me vlerësim të moderuar, Karai: Duhet të miratohen ligjet e nevojshme
Në reformat administrative, nota mbetet e njëjtë si në vitin paraprak. Komisioni Evropian i ka përsëritur kërkesat, sepse ato nuk janë implementuar në vitin e kaluar, thotë Julijana Karai nga Instituti për Politika Evropiane.
“Aty ku Maqedonia e Veriut duhet të fokusohet është miratimi i Ligjit për nëpunës administrativ, Ligji për punësime në sektorin publik, si dhe Ligji i shumëpritur për shërbimin e lartë drejtues, ku gjithsesi pritet implementimi i tyre. Pastaj, duhet patjetër të mbarojë revizioni për Ligjin e organizimit të organeve shtetërore dhe miratimi i ligjeve të ngjashme. Rekomandimi i tretë që pritet prej nesh në periudhën e ardhshme është implementimi i tërësishëm i Ligjit për procedurë të përgjithshme administrative, respektivisht rrumbullakimi i procesit të digjitalizimit”, u shpreh Julijana Karai nga instituti për politika evropiane.
Në përgjithësi, raporti i progresit për vitin 2024 e vlerëson Maqedoninë e Veriut mesatarisht të përgatitur në fushën e reformës së administratës publike.
NERMIN MULAKU FEJZULLAHU
