Maqedoni
Letra e Ahmetit, Jashari: Nuk morri vëmendjen e duhur
03.11.2024 15:07
Letra e kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti me shqetësimet përbrenda...

Letra e kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti me shqetësimet përbrenda sa i përket balancuesit dhe rrezikimit të gjuhës shqipe nxiti debat por edhe dilema nëse ia arriti qëllimit. Ishte vetëm senzibilim apo u bë për vëmendje politike? Kreu politik i vendit u distancua nga shqyrtimi, madje mungoi edhe ndonjë reagim serioz i faktorit ndërkombëtarë.
Përjashtim bëri ish diplomatit amerikan Daniell Server, njohës i çështjeve të Ballkanit, i cili tha se përdorimi i gjuhës shqipe është realitet që duhet të ruhet, poashtu edhe përfaqësimi i drejtë dhe adekuat. Profesori universitar Hasan Jashari vlerëson se fuqia opozitare mund të alarmoj çështjet, por jo edhe në rastin konkret përderisa ligji, sipas tij, si i tillë ka qenë i mangët në përdorim.
“Kjo i dobëson pozitat e tij dhe besueshmërinë e intencave të tij që të bëj diçka më tepër për shqiptarët në Republikën e Maqedonisë. Është dikush që e ngacmon çështjen e gjuhës, dhe ne jo që duhet të mbrojmë ligjin që është 20%, por të inicojmë ndryshim të kushtetutës që gjuha shqipe të bëhet e barabartë me gjuhën maqedonase”, u shpreh profesori universitar Hasan Jashari.
Zyrtarizimi i plotë i shqipes, Jashari: Duhet të inicojmë ndryshim të kushtetutës
Profesori Hasan Jashari konsideron se zhvillimet politike po rrotullohen në një labirinth, pa ndonjë perspektivë në favorin e popullit shqiptarë në vend.
“Marrëveshja e Ohrit nuk ka arrit që të ngren marrëveshjen në nivel të përdorimit të gjuhës të cilën e kemi pat në vitin 1974, dmth që gjuha shqipe të jetë e barabartë me gjuhën maqedonase. Kemi të bëjmë me një numër të madh labirintesh të cilat këndej japin, andej ta marrin. Ai ligj për përdorimin e gjuhëve, nuk është asgjë tjetër përveç se një ligj që është si përdoret gjuha maqedonase çdokund atje ku ka shqiptarë, kurse kusht që të përdoret gjuha shqipe është njëherë të shkruash në maqedonisht”, theksoi Jashari.
Lideri I BDI-së Ali Ahmeti një javë më parë drejtoi letër fillimisht liderëve rajonal shqiptarë dhe ndërkombëtarë dhe më pas edhe kryeministrit Hristijan Mickoski. Ahmeti ftoi kryeministrin për maturi pasi çdo lëkundje e vendimeve të dokumentit kornizë mund të kthej vendin në periudha pasigurie dhe të dëmtoj ardhmërinë e vendit.
Me gjithë heshtjen e ekzekutivit, fjalë ka gjykata kushtetuese, e cila kohë më parë shfuqizoi balancuesin, ndërkaq tani në pritje për të caktuar datën e dhënies së verdiktit për Ligjin e gjuhëve si tërësi.
MERAL ISMAILI
