QMBI: Për dalje nga kriza nevojitet dorëheqja e qeverisë

28.04.2015 20:04

Qendra për Bashkëpunim dhe Mirëkuptim Institucional, gjatë ditës së sotme ka shpalosur opinionin e saj në lidhje me ngjarjet e fundit në Maqedoni..

QMBI vlerëson se për daljen nga kjo krizë politike është e domosdoshme dorëheqja e qeverisë aktuale dhe formimi i një qeverie kalimtare në nivel të ekspertëve, si dhe ndërmjetësimi i faktorit ndërkombëtar nga BE dhe ShBA. QMBI ka reaguar edhe për nivelin e ulët të funksionarëve gjatë bisedave të përgjuara telefonike.

“Sa i përket bisedave të përgjuara telefonike, QMBI shpreh indinjatë të thellë edhe nga gjuha e ulët dhe ofendimet e rënda në baza etnike nga funksionarë të caktuar shtetërorë, më konkretisht nga Ministrja e Punëve të Brendshme. Prandaj konsiderojmë se dorëheqja e saj për arsye morale është veprimi më i vogël që duhet ndërmarrë në këtë rast”- deklaroi Muhamet Murtezi nga QMBI.

Në kontekst të gjendjes së sigurisë të krijuar pas incidentit në Gushincë, të shoqëruar me bastisjet në Kumanovë dhe aksionin policor në fshatrat e Malësisë së Karadakut, QMBI mendon se duhet ekspertizë profesionale ushtarake e Aleancës Veriatlantike me qëllim që të kemi një vlerësim të drejtë për ketë çështje. Ndërsa sa i përket bisedave të publikuara në lidhje me rastin e Sopotit, QMBI vlerëson se janë dëshmi se si nuk kanë funksionuar në raste të veçanta organet shtetërore në Maqedoni.

“QMBI insiston për rehabilitim të plotë të personave të dënuar padrejtësisht në këtë proces të montuar politik, përfshi shpalljen gjyqësore të pafajësisë së tyre dhe dëmshpërblimin e tyre material. Po ashtu, veprimi që domosdoshmërisht duhet ndërmarrë në këtë rast është marrja në përgjegjësi dhe dënimi i të gjithë atyre që kanë pasur gisht në burgosjen e banorëve të Sopotit”- tha Muhamet Murtezi nga QMBI.

QMBI gjithashtu shpreh keqardhje për aksidentet tragjike në hekurudhat e vendit, ku në disa raste viktima janë emigrantët nga Afrika dhe Azia, siç ishte aksidenti i fundit në Veles, ku humbën jetën 14 emigrantë. (Besim Abdullai, TVM2)