Botë
Lugina e Preshevës protesta kundër pasivizimit të adresave
03.11.2024 17:23
Me thirrjet, “Kthema adresën”, shqiptarët e Luginës së Preshevës...

Me thirrjet, “Kthema adresën”, shqiptarët e Luginës së Preshevës, kanë protestuar përherë të tretë brenda pak muajve, kundër atyre që i quajnë veprime diskriminuese të autoriteteve serbe ndaj pakicës shqiptare në Serbi.
Në protestat e mbajtura, fillimisht në Bujanoc, e më pas në Preshevë, u bë thirrje për njohje të diplomave të Kosovës, për integrim nëpër institucionet shtetërore të Serbisë, për lejim të përdorimit të simboleve kombëtare shqiptare dhe përzgjidhjen e çështjes së pasivizimit të adresave.
Pasivizimi nën kupton fshirjen e qytetarëve prej adresave ku kanë qenë të regjistruar. Ky hap rezulton me humbjen e shtetësisë serbe, e rrjedhimisht të të gjitha të drejtave civile – përfshirë të drejtën për të votuar, për të pasur pronë, për të pasur sigurim shëndetësor e pension dhe për t’u punësuar.
Në Serbi jetojnë më shumë se 60.000 shqiptarë, të cilët përbëjnë pakicën e katërt më të madhe atje, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë më 2022.
