Botë
Shpërthimi i vullkanit në Indonezi, autoritetet evakuojnë fshatrat përreth
04.11.2024 12:02
Të paktën dhjetë persona kanë vdekur pasi shpërtheu vullkani në malin Levotobi Laki-laki, në lindje të Indonezisë....

Të paktën dhjetë persona kanë vdekur pasi shpërtheu vullkani në malin Levotobi Laki-laki, në lindje të Indonezisë. Shpërthimi ndodhi afër mesnatës të së dielës, duke shkaktuar shtëllunga shpërthyese të llavës dhe duke detyruar autoritetet të evakuojnë disa fshatra përreth.
Vullkani në malin Levotobi Laki-laki, që gjendet në ishullin Flores, shpërtheu në orën 23:57, sipas kohës lokale, duke nxjerrë llavë, hi vullkanik dhe shkëmbinj vullkanikë, tha zëdhënësi i Qendrës për Vullkanologji dhe Uljes së Rrezikut Gjeologjik, Hadi Uijaya.
“Pas shpërthimit pati shkëputje të energjisë elektrike dhe më pas ra shi dhe kishte shkarkime rrufesh që shkaktuan panik te banorët.”, tha ai për Rojters, duke shtuar se autoritetet kanë ngritur në nivelin më të lartë alarmin për rrezikun nga vullkani.
Qendra për Vullkanologji tha se duhet të pastrohet zona prej 7 kilometrash nga krateri. Hadi tha se llava dhe shkëmbinjtë vullkanikë goditën vendbanimet rreth 4 kilometra larg nga krateri, duke djegur shtëpitë e banorëve. Autoritetet në Indonezi thanë se të paktën shtatë fshatra janë prekur nga shpërthimi i vullkanit.
“Ne kemi nisur evakuimin e banorëve nga mëngjesi edhe në fshatrat e tjera që gjenden rreth 20 kilometra larg nga krateri.”, tha ai.
Shpërthimi i fundit pason një sërë shpërthimesh vullkanike. Në maj, një vullkan në ishullin Halmehera, në malin Ibu, detyroi shtatë fshatra të evakuohen. Vullkani në Sulavesi po ashtu shpërtheu në maj, duke detyruar 12.000 persona të evakuohen. Vërshimet dhe llava e ftohtë nga mali Marapi në Sumatra në maj vrau më shumë se 60 persona.
