Botë
Opozita në Kosovë nuk e mbështet propozim-buxhetin për vitin 2025
04.11.2024 14:44
Kuvendi i Kosovës, javën e ardhshme do të diskutojë rreth propozim-buxhetit për vitin 2025....

Kuvendi i Kosovës, javën e ardhshme do të diskutojë rreth propozim-buxhetit për vitin 2025. Partitë opozitare LDK dhe AAK nuk do ta mbështesin propozim-buxhetin, kanë bërë të ditur koordinatorët e grupeve parlamentare.
“Jo, ne nuk e votojmë. Do të japim propozimet tona dhe nëse ato do të merren në konsideratë e shohim si mundësi.”, - theksoi Arben Gashi nga LDK-ja.
“Ne nuk e votojmë këtë buxhet. Ky buxhet është letërnjoftimi i kësaj qeverie, që i ka mbajtur pezull për katër vite fillimisht me ligjin për paga e pastaj me koeficientin, pastaj me vendosjen e vlerës së koeficientit në buxhet dhe në fund nuk ka ndodhur asgjë dhe në fund 50 euro për 6 muaj.”, - u shpreh Besnik Tahiri nga AAK-ja.
Vetëvendosje: I kemi votat për buxhetin pa opozitën
Por, koordinatorja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari Lila, tha se i kanë votat për miratimin e buxhetit të vitit 2025.
“Nuk është asgjë e re. Në fakt nëse e shikoni partnerin e partive të opozitës në asnjë nga të gjitha miratimet që kanë ndodhur në këtë legjislaturë, dhe ky është i katërti me radhë, opozita nuk ka marrë pjesë. Ne e kemi shumicën parlamentare, siç e keni parë edhe javën e kaluar në votimet e thjeshta arrijmë të miratojmë ligje dhe vendime të tjera, ndërsa për opozitën s’kam çka të them, kanë përcaktuar dhe vendosur në një rrugë tjetër. Është çështje e vendimmarrjes së tyre.”, - deklaroi kryetarja e grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari Lila.
Qeveria e Kosovës ditë më parë miratoi projekt-buxhetin për vitin 2025, që arrin vlerën prej 3.6 miliardë eurosh. Pjesë e këtij propozim-buxheti është edhe rritja e pagave për punëtorët e sektorit publik, të cilët nga janari i vitit të ardhshëm do të marrin paga me 55 euro rritje dhe 55 euro të tjera në korrik të vitit 2025.
GYLTENE SINANI
