Botë
ShBA-ja numëron orët e fundit të fushatës, Tramp – Harris, në garë të ngushtë
04.11.2024 15:00
ShBA-ja numëron orët e fundit të fushatës për zgjedhjet presidenciale....

ShBA-ja numëron orët e fundit të fushatës për zgjedhjet presidenciale. Brenda një dite do të dihet se kë kanë zgjedhur amerikanët për president në katër vitet e ardhshme. Gara është ende e pasigurt. Si demokratët, ashtu edhe republikanët thonë se po fitojnë në shumicën e shteteve kyçe.
“Donald Trampi çdoherë rikthehet, por duhet njerëzit të mendojnë, sepse ai nuk ofron zgjidhje.”, - tha një votues.
“Vendi nuk po shkon në kahjen e duhur. Kamalla Harris vetëm po i gënjen njerëzit, sepse ai është zgjidhja e duhur për vendin tonë.”, - tha një votues tjetër.
“Me padurim presim të zgjedhim kryetarin, presidentin e 47 e ShBA-së.”, - u shpreh një votues.
Sipas të dhënave të fundit, më shumë se 70 milionë votues kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre dhe kanë votuar para kohe në zgjedhjet presidenciale.
“Fryma e demokracisë është e gjallë. Jam shumë i emocionuar për të martën. Do të jetë një ditë shumë interesante dhe emocionuese.”, - tha një votues.
“Sinqerisht u ndjeva shumë mirë, sapo erdha këtu në Bashkinë dhe e dija se ne mund të votojmë dhe të përcaktojmë të ardhmen e shoqërisë sonë.”, - tha një votues tjetër.
Fjalë dhe akuza të ashpra në mitingjet përmbyllëse të Donald Tramp dhe Kamala Harris për luftën në Ukrainë, emigracionin, ekonominë, korrupsionin, të drejtat e grave. Ish-presidenti amerikan tha dje se i vjen keq që u largua nga Shtëpia e Bardhë pas humbjes së zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, të cilat ai nuk i pranoi kurrë.
“Pas gjithë asaj që kemi kaluar së bashku, ne qëndrojmë në pragun e katër viteve më të mëdha në historinë amerikane. Do të jetë shumë mirë. Do të jetë shumë argëtuese. Do të jetë pak e keqe ndoshta në fillim, por do të jetë diçka që ky vend nuk e ka arritur kurrë dhe askush nuk e ka menduar ndonjëherë se do ta shohë.”, - theksoi kandidati për president të ShBA-së, Donald Tramp.
Kandidatja presidenciale demokrate, Kamala Harris, është zotuar të kthejë faqen e një dekade të politikës së nxitur nga frika dhe përçarëse dhe shprehu besimin se ajo do të fitojë garën për Shtëpinë e Bardhë.
“Ne nuk kthehemi më. Ne nuk do të kthehemi pas, sepse lufta jonë është për të ardhmen. Dhe është një luftë për liri, duke përfshirë lirinë themelore të një gruaje për të marrë vendime për trupin e saj dhe të mos i thotë qeveria e saj se çfarë të bëjë.”, - theksoi kandidatja për Presidente e ShBA-së, Kamala Harris.
Uashingtoni është nën siguri të shtuar pasi agjencitë e inteligjencës paralajmëruan se Rusia dhe Irani mund të inkurajojnë qytetarët të përfshihen në protesta të dhunshme pas zgjedhjeve. Moska dhe Teherani kanë hedhur poshtë pretendimet se po përpiqen të ndikojnë në zgjedhjet amerikane.
FLUTURA LATIFI
