Maqedoni

BDI dhe LSDM, të gatshme për zgjedhje të parakohshme

04.11.2024 15:31

Partitë opozitare, BDI dhe LSDM, janë të gatshme që në cilën do kohë të shkojnë në zgjedhje të parakohshme...

Partitë opozitare, BDI dhe LSDM, janë të gatshme që në cilën do kohë të shkojnë në zgjedhje të parakohshme, pra zgjedhjet lokale të mbahen së bashku me të parakohshmet parlamentare. Kështu i përgjigjen integristët dhe social-demokratët ftesës së kryeministrit, Hristijan Mickoski, për ballafaqim zgjedhor vitin e ardhshëm. Blerim Bexheti nga BDI-ja, tha se situatat e fundit me të cilat ballafaqohet shteti, imponojnë   nevojën e mbajtjes së  zgjedhjeve të dyfishta. 
 
“Shteti edhe ashtu do të ketë zgjedhje të rregullta lokale, ka edhe logjik financiare dhe pro kësaj u shpreh edhe lideri Ali Ahmeti dhe ai shkoi edhe më larg duke thënë se do të ketë zgjedhje të trefishta. Duke pasur parasysh Qeverinë pa legjitimitet etnik, duke pasur parasysh situatën me integrimet e vendit, situatën me marrëdhëniet etnike, janë të pashmangshme dhe të nevojshme për perspektivën e shtetit. Në atë dorezë të hedhur të Mickoskit, ne jemi për zgjedhje të parakohshme, ashtu siç kemi qenë gjithmonë.”, - deklaroi Blerim Bexheti nga BDI. 
 
Për socialdemokratët, fakti që kryeministri po kërkon zgjedhje të parakohshme parlamentare, së bashku me zgjedhjet lokale vitin e ardhshëm, është dëshmi se Qeveria nuk po shkon mirë.
 
“Fakti që ka një njoftim të tillë vetëm tre muaj pas formimit të Qeverisë është dëshmi se Qeveria realisht nuk po shkon mirë. Anketa jonë në terren tregon se  65 për qind e qytetarëve nuk janë të kënaqur me punën e Qeverisë. Kjo do të thotë se dy në tre qytetarë nuk janë të kënaqur me politikat ekonomike, me rënien e standardit të jetesës, me faktin se Shqipëria na ka kaluar në rrugën tonë evropiane. Kjo është një lloj flirtimi me BDI-në dhe është një mesazh që i drejtohet kryesisht VLEN-it dhe Lëvizjes “E di”, pasi e kanë një rol të margjinalizuar dhe mbështetje të përgjysmuar.”, - theksoi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
 
Mexhiti: Qeveria është stabile, nuk ka nevojë për zgjedhje
 
Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, i cilëson të palogjikshme zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Ai thotë se Qeveria është stabile dhe së shpejti do të ketë edhe shumicë prej 80 deputetësh. 
 
“Nga vitet e 90-ta e deri më tani nuk ka pasur një qeverisje më stabile dhe nuk ka pasur një shumicë më të madhe se kjo – 78 dhe ajo po rritet dhe me siguri do të kalojë 80 në një kohë të shkurtër, që është dy të tretat e Kuvendit. Kaq mjafton komenti. Për shtetin dhe për qytetarët, kur ke një shumicë prej 80 deputetësh, është e panevojshme të mendosh për zgjedhje të parakohshme, sepse është vetëm shpenzim për shtetin dhe humbje kohe.”, - u shpreh zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti.
 
Nga VMRO-DPMNE-ja konfirmojnë se raportet me partnerët e koalicionin qeverisës janë kualitative, por nëse Venko Filipçe dëshiron zgjedhje, le të dorëzojë përmes deputetëve të tij kërkesë në Kuvend. 
 
SANIJE DURAKU