Maqedoni

Dënohet përsëri NP ”Drislla”, ujërat e zeza derdhen në lumin Markovë

04.11.2024 16:06

Pas ankesave të paraqitura nga Shoqata “Rinia e Batincës” se NP “Drislla” vazhdon të derdhë ujërat e zeza në lumin Markovë...

Pas ankesave të paraqitura nga Shoqata “Rinia e Batincës” se NP “Drislla” vazhdon të derdhë ujërat e zeza në lumin Markovë, pavarësisht se për të njëjtën gjë u dënua një vit më parë me 120 mijë euro gjobë. Ekipet e Inspektoratit shtetëror të Mjedisit, kanë dalë në terren dhe kanë konstatuar se ka koncentrime të mëdha të substancave ndotëse, mbi nivelin e lejuar. Banorët që jetojnë afër deponisë, e krahasojnë jetesën në Batincë, me jetesën në koshin e plehrave dhe kërkojnë deponi me standarde ekologjike.
 
“Inspektorët tanë kanë marrë mostra që janë dorëzuar në laborator të akredituar, i cili bën ekzaminimin dhe janë konstatuar koncentrime të substancave ndotëse mbi vlerat e lejuara kufizuese. Për këtë arsye kemi lëshuar vendim për kundërvajtje, e cila është në gjykatë.”, - deklaroi drejtoresha e Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit, Ivana Ginovska. 
 
“Deponia “Drislla” lëshon ujërat e zeza që mblidhen nga mbeturinat në lumin Markovë dhe aty nuk mund të shohësh asnjë gjallesë, as bretkosa, peshq, insekte etj., uji është helmues. Ne përballemi me probleme të mëdha që vijnë nga kjo deponi dhe jetojmë si në kosh plehrash, kështu mund ta përshkruaj gjendjen e banorëve të Sopishtes, Batincës dhe Draçevës. Kundërmon erë e keqe. Këtu kemi dokumente nga mjekët, kemi fotografi dhe dokumente të furrës se deponisë se si duket. Shpresojmë që të ndërtohet furrë e re me filtra, që banorët të mund të thithin ajër të pastër.”, - theksoi përfaqësuesi i Shoqatës “Rinia e Batincës”, Senih Brahoviq. 
 
Ministri Mexhiti vëzhgoi nga afër situatën në terren dhe tha se nuk mjafton vetëm që t’i lëshojmë dënime deponisë, por duhet ta ndihmojmë me mjete financiare, që të bëhet me standarde ekologjike dhe evropiane.
 
“Përveç inspektimit duhet të shohim edhe mundësinë se çka duhet të ndihmojmë si Ministri, si Qeveri, sepse interesi i përgjithshëm është që deponia të modernizohet, të punojë në bazë të standardeve, mos t’i rrezikojë qytetarët dhe nëse punon sipas standardeve do të jetë deponi profitabile, që nesër mund të jetë partner dhe mund të ndihmojë për të mirën e qytetarëve në Batincë.”, - u shpreh ministri i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti.
 
“Në planin e prokurimit publik, fillimisht duhet të vendosim rrethoja, gjithashtu edhe stacion filtrues. Ky është prioriteti ynë dhe hartimi i specifikimit teknik për blerjen e një inceleratori për asgjësimin e mbetjeve mjekësore.”, - theksoi drejtori i NP “Drislla”, Nenad Josevski.
 
Banorët e komunës së Studeniçanit disa herë kanë dalë në protesta për të shprehur revoltën e tyre për dëmin shëndetësor dhe ekologjik, që u shkakton kjo deponi.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU