Amerikanët zgjedhin mes Harrisit dhe Trampit, 7 shtete kryesore pritet të përcaktojnë rezultatin
05.11.2024 10:44
Sot është dita e zgjedhjeve në SHBA...

Qytetarët amerikanë sot votojnë për zgjedhjet historike presidenciale, për të cilat votuesit janë të ndarë në nivel vendi, por edhe në shtatë shtete kryesore që pritet të përcaktojnë rezultatin mes ish-presidentit republikan, Donald Tramp, dhe nënpresidenten demokrate, Kamala Harris.
Rezultati i kësaj gare të ngushtë nuk pritet të dihet për ditë të tëra në disa shtete sikurse Pensilvani, ku numërimi i votave me postë është proces më i ngadalshëm. Dalja në zgjedhje pritet të jetë e lartë, sipas Byrosë së Regjistrimit. Mbrëmjen e 4 nëntorit zyrtarët federalë zgjedhorë paralajmëruan se me një garë kaq të ngushtë, Rusia dhe Irani po intensifikojnë fushatat e tyre të ndikimit me synimin që të ndjellin përçarje në mesin e votuesve amerikanë, me qëllim që të nxitet dhunë ndaj zyrtarëve zgjedhorë, pas një fushate të ashpër.
Trampi po garon për herë të tretë, pasi humbi zgjedhjet më 2020 ndaj presidentit aktual, Xho Bajden, i cili u tërhoq nga gara presidenciale në korrik pasi sondazhet treguan se ai kishte pasur një paraqitje të dobët gjatë debatit me Trampin dhe kishte shqetësime lidhur me moshën e tij. Trampi ka vënë në pikëpyetje mbështetjen amerikane për Ukrainën, duke thënë se Evropa duhet ta bartë pjesën më të madhe të barrës së mbështetjes të Ukrainës kundër pushtimit të nisur nga Rusia dhe po ashtu e ka vënë në dyshim të ardhmen e NATO-s.
Sipas sistemit amerikan, nuk është vota popullore ajo që përcakton se kush do të jetë president, por Kolegji Zgjedhor prej 538 anëtarësh, në të cilin secili shtet ka një numër të përcaktuar paraprakisht të zgjedhësve, që është numër i barabartë me numrin e përfaqësuesve që shtetet kanë në Kongres. Më shumë se 77 milionë votues veçse kanë votuar, por zgjedhjet e 5 nëntorit do të jenë test kritik se cili kandidat ka bërë punë më të mirë për të bindur mbështetësit e tyre që të votojnë.
