Maqedoni
Bashkëpunimi Polici – Doganë - Faktori Ndërkombëtar rezulton me hetime kundër krimit dhe korrupsionit
05.11.2024 14:04
Luftë të ashpër kundër krimit dhe korrupsionit të lartë, premtoi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski...

Luftë të ashpër kundër krimit dhe korrupsionit të lartë, premtoi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, në konferencën e nivelit të lartë për bashkëpunimin ndërmjet policisë doganore të organizuar nga OSBE-ja dhe BE-ja. Duke pasur vullnet dhe mbështetje ndërkombëtare, Toshkovski tha se lufta kundër krimit dhe korrupsionit do të fillojë që nga radhët e MPB-së. Toshkovski paralajmëron zgjerimin e hetimeve për policët që kanë shpërndarë sekrete zyrtare dhe që kanë bashkëpunuar me grupe të ndryshme kriminale.
“Në kuadër të analizimit të materialeve dëshmuese nga ana e Prokurorisë për krim të organizuar dhe korrupsion ekzistojnë prova të mëdha, ndërsa të gjitha këto prova janë siguruar përmes aplikacioni “SKY”, që na e kanë dhënë partnerët ndërkombëtarë. Kështu që vlerësoj se në të ardhmen do të ketë raste shumë interesante për opinionin, lidhur me krimin e organizuar dhe korrupsionin e lartë. Ky rast është i lidhur me dy nëpunës policor gjatë periudhës kur i kanë kryer veprat kriminale, të cilët sot më nuk janë në punë dhe në bazë të informacioneve që kam unë, për këtë rast janë grumbulluar një numër i madh i provave.”, - deklaroi ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski.
Përfaqësuesit e ShBA-së dhe të BE-së vlerësuan se ka avancim në luftën kundër krimit të organizuar, janë të kënaqur nga bashkëpunimi i deritanishëm me institucionet e vendit në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, por pavarësisht kësaj thanë se ky bashkëpunim do të përforcohet edhe më shumë në të ardhmen me vetmin qëllim, që në vend të ketë rezultate konkrete.
“ShBA-ja është shumë krenare për bashkëpunimin që ka me partnerët tanë dhe kjo është një konferencë shumë e rëndësishme që po shtjellon temat e ndryshme të sigurisë. Shtetet e BE-së së bashku me ShBA-në po e mbështesin këtë program.”, - theksoi ambasadorja e ShBA-së në Shkup, Angela Ageler.
“Do t’i analizojmë të gjitha mënyrat përmes së cilave mund të thellojmë bashkëpunimin dhe bashkërisht t’i përgjigjemi luftës kundër krimit dhe korrupsionit të lartë dhe njëherit të punojmë në infrastrukturën e sigurisë dhe përforcimin e saj, që të mund t’i shkëmbejmë informacionet në kohë reale.”, - u shpreh shefi i Misionit të OSBE-së në Shkup, Kilian Val.
“Siguria e qytetarëve është një ndër prioritet e kësaj Qeverie, andaj në këtë kontekst si dikaster kompetent mbi doganat, siguria dhe mbrojtja e kufijve tanë dhe lufta kundër krimit dhe tregtisë ilegale është prioritet ynë kryesor ku jemi fokusuar. Rol kryesor në parandalimin dhe zbulimin e krimeve ka shkëmbimi ndërinstitucional i informacioneve mes MPB-së me PThP-në dhe me organizatat ndërkombëtare.”, - theksoi ministrja e Financave, Gordana Dimitrievska Koçoska.
Konferenca e nivelit të lartë për bashkëpunimin ndërmjet Policisë dhe Doganës për armët e vogla dhe të lehta dhe për kontrabandimin e emigrantëve në Evropën Juglindore do të ketë kohëzgjatje prej tre ditësh.
REXHEP QAMILI
