Maqedoni
U anulua seanca për spitalin modular, Mumin Ismaili: Spitali modular të ketë epilog
05.11.2024 14:26
U anulua seanca për spitalin modular, Mumin Ismaili: Spitali modular të ketë epilog...

Për të tretën herë është anuluar seanca gjyqësore për rastin e spitalit modular të Tetovës. Familjarët e viktimave thonë se kanë humbur durimin, ndërkohë që kërkojnë që sa më shpejt rasti të ketë epilog. Familjari Mumin Ismaili tha se secila seancë që mbahet, për familjarët e viktimave sjell dhimbje por siç tha, është edhe e lodhshme dhe ndërkohë apelon gjyqin themelor të Tetovës të marrë më shumë përgjegjësi për rastin e spitalit modular.
“Po, siç keni qenë të informuar ju mediat dhe qytetarët e RMV-së, secila seancë e merr nga një sugjerim për shkaqe koti se anulohet seanca. Ne e shohim si familjarë të viktimave, se secila seancë e sjell nga një dhimbje, kështu që seanca e sotme u anulua se gjyqtari që duhet ta mbajë seancën qenka operuar dhe u anulua seanca më 15 janar. Ne si familjarë e kemi humbur durimin në këtë drejtësi në këtë shtet. Nëpërmjet mediave u bëj apel gjyqit themelor të Tetovës të marrë masa, më me përgjegjësi të mbahet seanca njëherë e përgjithmonë dhe t’i japim fund spitalit modular. Për ne është shumë e lodhshme prej muajit të kaluar që u anulua edhe sot për më 15 janar për seancën e radhës e treta seancë. Jemi të lodhur psiqikisht dhe moralisht ne si familjarë.”, - theksoi familjari i viktimës, Mumin Ismaili.
Besimi: Shpresoj që ky proces të finalizohet
Ish-drejtori i Spitalit të Tetovës, Florin Besimi, tha se shpreson që sa më shpejt të finalizohet procesi i rastit të spitalit modular. Besimi tha se asnjëherë nuk ka munguar në seanca, çdo herë ka qenë prezentë së bashku me mbrojtësit.
“Vetëm se shpresoj që ky proces të finalizohet sa më shpejt dhe do të merret parasysh nga kjo gjykatë. Në asnjë seancë nuk kam munguar. Jam paraqitur rregullisht, d.m.th. në kohë, çdoherë kam qenë prezent edhe unë edhe mbrojtësit e mi, avokatët.”, - deklaroi ish-drejtori i Spitalit të Tetovës, Florin Besimi.
Seanca që ishte paraparë për ditën e sotme u anulua, ndërkohë që seanca e radhës pritet të mbahet më 15 janar.
VLORA LATIFI TOPOJANI
