Botë

Amerikanët zgjedhin mes Harrisit dhe Trampit, 7 shtete kryesore pritet të përcaktojnë rezultatin

05.11.2024 14:41

Milionë amerikanë iu drejtuan kutive të votimit për zgjedhjet presidenciale..

Milionë amerikanë iu drejtuan kutive të votimit për zgjedhjet presidenciale, për të cilat votuesit janë të ndarë në nivel vendi, por edhe në shtatë shtete kryesore që pritet të përcaktojnë rezultatin mes ish-presidentit republikan, Donald Tramp dhe nënpresidenten demokrate, Kamala Harris. Në këto zgjedhje nuk votohet vetëm për Presidentin, por edhe për shumicën në Kongres. Qendrat e votimit u hapen nga ora 05:00 në disa shtete lindore dhe votimet do të vazhdojnë në mbarë vendin, përfshirë në Alaskë dhe Havai, deri në orët e mbrëmjes në shtetet që gjenden në perëndim të Shteteve të Bashkuara. Në kryeqytetin amerikan janë forcuar masat e sigurisë.
 
"Rreth Universitetit “Harvard” do të shihni patrullime të shtuara në zonat kryesore në qendër të qytetit dhe rreth Shtëpisë së Bardhë. Kjo prani proaktive është një masë parandaluese dhe megjithëse nuk ka asnjë kërcënim të konfirmuar për zonën, ne duam që banorët dhe vizitorët të ndjehen të sigurt.", - deklaroi shefja e Policisë së Uashingtonit, Pamela Smith.
 
Pas tubimeve përfundimtare, Harrisi dhe Trampi janë të bindur për fitoren e tyre. Trampi beson se zgjedhjet janë shumë të mëdha për t'u manipuluar, megjithëse ai theksoi se ka pasur përpjekje.
 
“Shumë njerëz thonë se Zoti më shpëtoi për të shpëtuar Amerikën. Nëse fitojmë Pensilvaninë, fitojmë garën. Është shumë e thjeshtë. Unë besoj se është shumë e madhe për të manipuluar. Por, ata do të përpiqen dhe po përpiqen.”, - theksoi kandidati republikan për president të Shteteve të Bashkuara, Donald Tramp.
 
Nga ana tjetër, demokratja Harris u ofroi amerikanëve një shans për të kthyer një faqe të re.
 
"Kemi mundësinë për të kthyer faqen në një dekadë të politikës të nxitur nga frika dhe ndarja. Ne kemi mbaruar me atë. Masa e vërtetë e një lideri nuk bazohet në atë se kë keni fituar, por çfarë do të lartësoni.", - u shpreh kandidatja demokrate për Presidencën e Shteteve të Bashkuara, Kamala Harris.
 
Dy kandidatët, të cilët janë pothuajse të barabartë në garë, do të kenë nevojë për të paktën 270 vota elektorale për të fituar presidencën. Shtetet kyçe për rrugën drejt fitores mbeten shtatë shtetet federale, ku do të monitorohen rezultatet - Arizona, Georgia, Miçigan, Nevada, Karolina e Veriut, Pensilvania dhe Uiskonsin. Një fitore e mundshme e ngushtë mund të zgjasë shpalljen e fituesit. Rreth 80 milionë amerikanë kanë votuar tashmë në votime të parakohshme ose me postë, duke tejkaluar totalin e vitit 2016 prej rreth 47 milionë votuesve të regjistruar.
 
FITIM KRYEZIU