Ekonomi
LSDM-ja kërkon heqjen e TVSh-së për ushqimet
05.11.2024 15:04
Lidhja Socialdemokrate ka ftuar VMRO-DPMNE-në dhe të gjithë deputetët në Kuvend të mbështesin heqjen e TVSh-së...

Lidhja Socialdemokrate ka ftuar VMRO-DPMNE-në dhe të gjithë deputetët në Kuvend të mbështesin heqjen e TVSh-së për produktet ushqimore bazë. Sipas tyre, masa për ngrirjen e marzhave nuk dha efektin e duhur, prandaj i bëjnë thirrje VMRO-DPMNE-së të mos bëjë inate politike në kurriz të qytetarëve. Në vend që vazhdimisht të refuzojë zgjidhje të mira ligjore të propozuara nga opozita, t’i mbështesë.
“Pas një muaji rezultoi se masa e Qeverisë për ngrirjen e marzhave nuk solli asnjë rezultat. Shporta e konsumit është ulur për vetëm 57 denarë krahasuar me muajin e kaluar, në periudhën kur paga mesatare është ulur për 1.000 denarë. Prandaj, LSDM-ja u bën thirrje të gjithë deputetëve që ta mbështesin këtë zgjidhje ligjore.”, - deklaroi Jovana Trençevska nga LSDM.
VMRO-DPMNE: LSDM-ja rriti TVSh-në për 2 mijë produkte
VMRO-DPMNE-ja, me kundërpërgjigje. Sipas tyre, LSDM-ja kishte mundësinë, por ngritën TVSh-në për mbi 2 mijë produkte ushqimore.
“Ka mundësi që gjatë një pauze në hotelin “Hilton” në Dubai, atyre u erdhi ideja për të paraqitur një zgjidhje ligjore që ata vetë e refuzuan 4 herë mandatin e kaluar. Sa për t'ju kujtuar, atëherë ata ngritën TVSh-në për mbi 2 mijë produkte ushqimore. Nëse LSDM-ja me të vërtetë dëshiron të ndihmojë qytetarët, e vetmja gjë që duhet të bëjnë është të votojnë buxhetin për vitin 2025.”, - theksoi Dragana Bojkovska nga VMRO-DPMNE.
Me propozim-ndryshim në ligjin, LSDM-ja kërkon uljen e TVSh-së nga 5 në 0% për produktet bazë, një propozim të cilin sa ishte në opozitë e ka bërë katër herë radhazi VMRO-DPMNE-ja dhe nuk u ishte pranuar nga pushteti i atëhershëm.
FITIM KRYEZIU