Maqedoni

VLEN: BDI-ja mban vulën e dështimit në Kumanovë

05.11.2024 15:11

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, i është kundërpërgjigjur provokimeve të koalicionit VLEN...

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, i është kundërpërgjigjur provokimeve të koalicionit VLEN, i cili i ka kërkuar që të japë garanci me shkrim se do të tërhiqet nga politika nëse humbet zgjedhjet. Në mbrëmjen e së hënës gjatë takimit me qytetarët e Kumanovës, Ahmeti është shprehur BDI-ja nuk është e interesuar për të hyrë në Qeveri, por për të larguar VLEN-in nga ekzekutivi.  Nga koalicioni VLEN, ndërkohë thonë se pikërisht Kumanova është qyteti që Ahmeti për më shumë se 20 vjet e ka përdorur si poligon për eksperimente dhe për ta ruajtur rehatinë e kolltukut të tij. Nga VLEN-i po ashtu adresuan disa pyetje për integristët. 
 
“Ku ishte BDI-ja, kur ndodhi rasti i Sopotit për t’i mbrojtur kumanovarët? Ku ishte BDI-ja kur digjej Lagja e Trimave? Vulën e BDI-së e mbanë edhe vdekja e Rexhail Qerimit, ku edhe super-ekspertiza vërtetoi që ai nuk ishte fajtor në rastin “Alfa”. Ku ishte Ahmeti dhe BDI-ja të luftojë që ish-bashkëluftëtari tij ta fitojë drejtësinë dhe lirinë? Ku ishte Ahmeti kur në Kumanovë Almiri i vogël u shtyp për vdekje nga Boban Iliçi dhe vepra ndryshoi brenda natës nga vrasje me paramendim në aksident trafiku me pasojë vdekje? BDI-ja për 20 vite ka kontribuar jashtëzakonisht shumë që të zbrazë Kumanovën me rrethinë nga shqiptarët e rinj.”, thuhet në reagimin me shkrim të koalicionit VLEN.
 
BDI: Arsyetoni çdo vendim të dëmshëm për shqiptarët
 
Arbër Ademi nga BDI-ja thotë se ofertën për zgjedhje të parakohshme parlamentare e ka bërë Mickoski dhe ata e pranojnë pasi kjo do të tregojë se kush sa peshon. Ai akuzoi VLEN-in se po arsyeton çfarëdo lloj vendimi që është i dëmshëm për shqiptarët.
 
“Kumanova gjithmonë ka ditur të rreshtohet siç duhet. Me qindra kumanovarë shqiptarë sot janë larguar nga puna dhe sado me kumtesat e tyre dëshirojnë që në opinion të prezantohen si diçka. Qytetari më së miri e di të bëj vlerësimin se si ka qenë në kohën e Ahmetit, e si në kohën e humbësve të dyfishtë. Përgjigja jonë është: po urdhëroni, eja t’i bëjmë zgjedhjet, ta kthejmë legjitimitetin te qytetarët, pasi ai legjitimitet është vjedhur, është keqpërdorur, duke instaluar e përfshirë në Qeveri humbës.”, - deklaroi Arbër Ademi nga BDI.
 
Nga VLEN-i i bënë thirrje BDI-së, që të përgatitet për përgjegjësi, ndërsa sa i përket zgjedhjeve, ato do të mbahen kur të vijë koha. 
 
SANIJE DURAKU