Maqedoni

Zgjedhjet në ShBA, Ruzhin: Votuesit të ndarë si asnjëherë më parë

05.11.2024 15:51

Në dorën e qytetarëve amerikanë qëndron presidenti i ardhshëm i ShBA-së....

Në dorën e qytetarëve amerikanë qëndron presidenti i ardhshëm i ShBA-së. Ish-presidenti republikan, Donald Tramp dhe nënpresidentja demokrate, Kamala Harris në garë për udhëheqësin më të fuqishëm në botë. Ish-ambasadori dhe njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Nano Ruzhin, duke komentuar zgjedhjet në ShBA, thotë se për herë të parë në historinë e Amerikës popullata asnjëherë s'ka qenë më e ndarë.
 
Në fushatën e tij, Trampi mbronte strategjinë merkanteliste, politikë që nuk i konvenon Evropës dhe partnerëve të tjerë, ngaqë paralajmëroi vendosjen e tatimeve të reja për mallrat që hyjnë në federatë, duke pretenduar përmirësimin e inflacionit në Amerikë, analizon Ruzhini. Ndërkohë, Kamala Harris nga demokratët, mbështetje gjen tek votuesit e gjinisë femërore, thotë Ruzhini, por e quan hendikep  hyrjen e vonshme të saj në fushatë, sepse kritikat dhe premtimet nuk i zënë vend.
 
“Çka sjellë secili prej këtyre kandidatëve? Para së gjithash, veprimet e tyre kanë treguar se Amerika asnjëherë s'ka qenë më e ndarë, zgjedhësit e ShBA-së, demokratët dhe republikanët asnjëherë s'kanë qenë aq të ndarë dhe asnjëherë s'ka pasur ashtu shpërfaqje të urrejtjes, mosbesimit, kështu që 80% e zgjedhësve të njërës dhe palës tjetër nuk kanë treguar, të themi, ndonjë butësi. Thjesht vetëm urrejtje. Kjo pra,  gjëja e re në Amerikë.”, - deklaroi ish-ambasadori, Nano Ruzhin.
 
Për TVM2, Ruzhini analizon edhe impaktin e tyre presidencial në skenën ndërkombëtare, rrjedhimisht politikat në vendet e luftërave dhe krizave nëpër botë.
 
“Ekzistojnë dallime të mëdha në raport me çështjet e mëdha botërore. Trampi ka thënë se me ardhjen eventuale të tij në pushtet do ta ndërpresë luftën në Ukrainë. Kamala Harris përkundër kësaj thotë se  do të vazhdojë me përkrahjen ndaj Ukrainës. Sa i përket luftës në Gazë, Kamala Harris thotë se kjo luftë mund të ndalet me bërjen eventuale të Palestinës shtet të pavarur, gjë që në kuptim të fjalës nuk e ka thënë, derisa Trampi ka përkrahje të hapur ndaj Izraelit.”, - theksoi ish-ambasadori, Nano Ruzhin.
 
Zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 në ShBA do të vendosin kontrollin e Shtëpisë së Bardhë. Sondazhet tregojnë se mbështetja popullore për rivalët është thuajse e ndarë më dysh, veçanërisht në një grup shtetesh fushëbetejë, që do të jenë çelësi për të vendosur fitues.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU