Botë

Zgjedhjet presidenciale në ShBA, Osmani: ShBA-ja mbetet aleat strategjik i Kosovës

05.11.2024 16:16

Pavarësisht se kush do t’i fitojë zgjedhjet presidenciale, demokratja Kamala Harris apo republikani Donald Tramp...

Pavarësisht se kush do t’i fitojë zgjedhjet presidenciale, demokratja Kamala Harris apo republikani Donald Tramp, ShBA-ja do të mbetet aleati më i rëndësishëm strategjik i Kosovës. Kështu ka deklaruar presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e pyetur për ndikimin e zgjedhjeve amerikane në Kosovë, duke shtuar se Kosova në vazhdimësi e ka pasur mbështetjen e Qeverisë amerikane pavarësisht se kush ka udhëhequr me Shtëpinë e Bardhë. 
 
“Në kohën kur e kemi fituar lirinë në qeverisje kanë qenë demokratët, derisa kur kemi fituar pavarësinë në Qeveri kanë qenë republikanët. Pra, Kosova vërtet ka qenë shtet i bekuar me përkrahje bipartizane (dypartiake) amerikane. Është vendim i popullit amerikan, ne do të vazhdojmë bashkëpunimin me këdo që do të zgjidhet. Me rëndësi është që ShBA-ja vazhdon të jetë lider i botës së lirë dhe aleati më i rëndësishëm strategjik i Kosovës. Ashtu do të vazhdojë të jetë edhe pas kësaj date.”, - deklaroi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
 
Miqësia e Kosovës me ShBA-në ka filluar me presidentin, Ibrahim Rugova, ndërsa derisa ShBA-ja udhëhiqej nga demokrati Bill Klinton, filluan bombardimet e NATO-s ndaj Serbisë që sollën çlirimin e Kosovës, ndërsa kur president i ShBA-së ishte republikani Xhorxh Bush, Kosova shpalli pavarësinë. 
 
GYLTENE SINANI