Maqedoni
BDI: Kontrata joligjore mundëson fitim mbi 100 milionë euro
05.11.2024 16:29
Bashkimi Demokratik për Integrim sot përmes Konferencës për media shpalosi të dhëna skandaloze...

Bashkimi Demokratik për Integrim sot përmes Konferencës për media shpalosi të dhëna skandaloze për krimin më të madh në dekadën e fundit nëpërmjet të keqpërdorimit dhe shfrytëzimit të institucioneve. Monopoli i bixhozit në shtet i kontrolluar nga kompania private serbo-bullgare e ka financuar drejtorin e ri të Lotarisë, Klimovski, me mbi 140.000 euro, ndërsa për vete kanë fituar mbi 100 milionë euro në kurriz të shtetit dhe qytetarëve. Këtë përfitim, kompania e preferuar serbo-bullgare e Izet Mexhitit dhe Arben Taravarit, e ka arritur me një kontratë tërësisht joligjore, deklaroi Arbër Ademi nga BDI-ja.
“Kompania e preferuar serbo-bulgare e Izet Mexhitit dhe Arben Taravarit, e ka arritur me një Kontratë tërësisht joligjore. Për një depozitë prej vetëm 1 milion eurosh, pa pëlqimin e Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës, kompanisë private serbo-bullgare i jepet monopoli, me mbrojtje shtetërore, dhe i mundësohet fitim prej mbi 100 milionë euro. Në kontratën e themelimit të shoqërisë tregtare nuk parashikohet as kohëzgjatja e kontratës dhe as mënyra e përfundimit të saj. Kjo është e paligjshme, dëmton buxhetin, shkel ligjin dhe duhet që të anulohet menjëherë si dhe të bartet përgjegjësi.”, tha Arbër Ademi nga BDI.
