Mickoski, Mexhiti e Ahmeti urojnë Trampin

06.11.2024 10:23

Shprehim urimet më të përzemërta presidentit Donald Tramp...

Shprehim urimet më të përzemërta presidentit Donald  Tramp për fitoren e tij në zgjedhjen e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kështu shkruan kryeministri, Hristijan Mickoski, në urimin drejtuar presidentit në ardhje të Amerikës, Donald Tramp. Fitoren Trampit ia uroi edhe zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti dhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti. 

“Kjo fitore është një konfirmim i besimit të thellë të popullit amerikan në parimet e lirisë dhe demokracisë. Ne shpresojmë që të thellojmë më tej partneritetin dhe bashkëpunimin tonë të fortë, veçanërisht në fushat e sigurisë, zhvillimit ekonomik dhe reformës demokratike. Maqedonia mbetet e përkushtuar për ndërtimin e lidhjeve edhe më të forta me ShBA-në, si aleat dhe mik strategjik, i cili do të vazhdojë të forcojë stabilitetin dhe përparimin e të gjithë rajonit.”, shkruan Mickoski. 
 
“Urime të sinqerta presidentit Donald Tramp për rizgjedhjen e tij.”, shkruan zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti. Sipas tij, ShBA-ja mbetet aleati më i madh i vendit tonë. Si zëvendëskryeministër i parë i Maqedonisë së Veriut, shpreh "gatishmërinë tonë të plotë për të forcuar edhe më tej marrëdhëniet strategjike ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara. Besojmë se nëpërmjet bashkëpunimit tonë të ngushtë, do të avancojmë përparimin ekonomik dhe sigurinë për vendin tonë.”
 
Edhe kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, ka uruar presidentin Tramp, për siç thotë ai, fitoren në zgjedhjet amerikane. Ahmeti thotë se shpreson që përqendrimi amerikan në Ballkan të vazhdojë. 
 
“Uroj popullin amerikan dhe presidentin Tramp për zgjedhjen e tij të sotme dhe ndaj bindjen që përqendrimi amerikan në Ballkan do të vazhdojë të jetë i fortë si gjithmonë për t’i zgjidhur përfundimisht çështjet e hapura midis vendeve të Evropës juglindore.”, shkruan Ahmeti.