Botë
Krerët shtetërorë dhe politikë në Kosovë urojnë presidentin e ri amerikan, Tramp
06.11.2024 14:00
Zgjedhjet presidenciale në ShBA janë ndjekur me vëmendje të veçantë në shtetin më pro amerikan në botë në Republikën e Kosovës....

Zgjedhjet presidenciale në ShBA janë ndjekur me vëmendje të veçantë në shtetin më pro amerikan në botë në Republikën e Kosovës. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, menjëherë pas publikimit të rezultateve të para, me një postim në X, e uroi Donald Trampin për zgjedhjen president i ri i ShBA-së.
“Në emër të popullit të Republikës së Kosovës i shpreh urimet tona të përzemërta Donald Trampit dhe Xhejms Dejvid Vance për zgjedhjen e tyre si president dhe zëvendëspresident i Shteteve të Bashkuara. ShBA-ja mbetet partneri i palëkundur dhe aleati i domosdoshëm i Kosovës. Mezi pres të punoj me administratën e re për të thelluar më tej lidhjen tonë unike dhe aleancën strategjike. Zoti e bekoftë Amerikën, liderin e botës së lirë!”, shkruan Osmani në X.
Edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka uruar Donald Trampin për fitoren në zgjedhjet presidenciale. Kurti, përmes një postimi në “X”, ka thënë se ShBA-ja është aleat, mik dhe partner kyç i Kosovës. “Urime presidentit Donald Tramp për fitoren tuaj elektorale. ShBA-ja është një aleat, mik dhe partner kyç i Kosovës dhe ne mezi presim të punojmë së bashku për përparim dhe paqe.”, shkruan Kurti.
Zgjedhjet në ShBA i ndoqi nga afër ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, i cili ka njoftuar se ka qenë i ftuar në Mar A Lago, prej ku tashmë presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Tramp, i ndoqi rezultatet e zgjedhjeve. “Miku i madh i shqiptarëve, presidenti Donald Tramp rizgjidhet në krye të shtetit më të fuqishëm të botës, në një fitore spektakolare. Ndjenjë e veçantë të isha i ftuar në Mar A Lago në festimin e kësaj fitoreje të madhe.”, ka shkruar Pacolli.
Edhe lideri i AAK-së, ish-kryeministri Ramush Haradinaj, ka uruar Donald Trampin për fitoren në zgjedhjet presidenciale. "Nën udhëheqjen e president Tramp kemi krijuar Ushtrinë e Kosovës, jam i bindur se nën drejtimin e tij, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të qëndrojnë si aleati ynë më i fortë dhe i palëkundur.”, shkroi Haradinaj në urimin e tij në fejsbuk. Urime për presidentin e ri amerikan Donald Tramp kanë përcjellë edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi dhe ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
GYLTENE SINANI
