Maqedoni

Kushtetuta, Fetai: Zotohemi ta largojmë 20 përqindëshin

06.11.2024 14:31

Zëvendëskryeministri Arben Fetai thekson se koalicioni VLEN do të zotohet maksimalisht që çështja e 20 përqindëshit....

Zëvendëskryeministri Arben Fetai thekson se koalicioni VLEN do të zotohet maksimalisht që çështja e 20 përqindëshit të shqiptarëve në Kushtetutë të largohet, ndërsa mundësi adekuat për përmirësimin e kësaj çështjeje mund të jetë hapja e Kushtetutës për vazhdimin e rrugës evropiane.

 
“E dimë se 20 përqindëshi i referohet gjuhës shqipe, sepse nuk ka komunitet tjetër që arrin këtë shkallë në kuadër të regjistrimit të popullsisë. Së paku në nivel qendror, ndërsa në nivel lokal e dimë se 20 përqindëshi duhet të ngelet në fuqi për sa i përket p.sh pakicës turke në disa komuna të caktuara. Jemi zotuar në vazhdimësi si Aleancë për shqiptarët, si koalicioni VLEN për heqjen e 20 përqindëshit për sa i përket gjuhës shqipe në Kushtetutë dhe besoj se në momentin e parë që hapet Kushtetuta për t’i bërë ndryshimet e nevojshme për vazhdimin e rrugës evropiane të vendit do të bëjmë përpjekje maksimale që edhe çështja e definitmit të 20 përqindëshit të gjuhës shqipe në Kushtetutë, të rregullohet më në fund.”, - deklaroi zëvendëskryeministri, Arben Fetai.
 
Ligji për përfaqësim të drejtë, Fetai: Ka filluar pjesëmarrja në grupin e punës
 
Zyrtarisht zëvendëskryeministri Arben Fetai, gjithashtu njoftoi se Qeveria ka filluar pjesëmarrjen në grupin e punës për përgatitjen e një zgjidhjeje ligjore për përfaqësimin e drejtë në administratën shtetërore dhe publike. Balancuesi si mekanizëm nuk është treguar i suksesshëm, përkundrazi skajshmërisht i abuzuar dhe jefeketiv, theksoi Fetai. Përfaqësimi në sektorin publik, sipas Fetait arrin mbi 20%, por që ka shumë institucione që niveli i përfaqësimit të komuniteteve është shumë i mangët, ndërsa një prej tyre është Akademia e Shkencave.
 
“Dua të njoftoj këtu zyrtarisht se veç më kemi filluar punën si Qeveri në kuadër të një grupi punues, ku ka përfaqësues nga të gjitha partitë e koalicionit për përgatitjen e një zgjidhjeje ligjore për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat. Pra, parimi kushtetues më në fund pas 22 viteve do të përkthehet në një zgjidhje konkrete ligjore. Nga ana e koalicionit VLEN, unë i prij këtij takimi punues. Kemi pasur 3 takime deri më tani dhe nga java e ardhshme do të fillojmë të flasim për një zgjidhje konkrete, e cila pastaj do t'i jepet Parlamentit si përfaqësues i sovranit dhe do të ketë debat publik.”, - u shpreh zëvendëskryeministri, Arben Fetai.
 
Administrata publike, Fetai: Reformat në administratë janë prioritet
 
Përveç Ligjit për përfaqësim të drejtë, Fetai vlerëson se reformat në administratën publike janë prioritet i Qeverisë, për shkak të siç tha, politizimit të skajshëm, stërngarkimit dhe jefikasitetit. Njoftoi se janë zotuar për ligje të reja për reformat e tërësishme në administratën publike, ku bëjnë pjesë Ligji për të punësuarit në sektorin publik, Ligji për nëpunësit administrativ, si dhe Ligji për përsosjen profesionale, si dhe trajnimin e nëpunësve administrativë. Këto komente u bënë me rastin e takimit rajonal të platformës rajonale për reforma në administratën publike - Veber.
 
FLORIJE KAMBERI