Botë
Zgjedhjet në ShBA, Trampi shpalli fitoren, premtoi epokë të artë
06.11.2024 14:44
Donald Trampi shpalli fitoren në zgjedhjet e ShBA-së...

Donald Trampi shpalli fitoren në zgjedhjet e ShBA-së. Ai tha nga skena në Florida se është një nder i veçantë për të, që të jetë presidenti i 47-të. Ai u premtoi simpatizantëve se në ShBA po vjen epoka e artë, do të luftojë çdo ditë, për çdo qytetar.
“Vendi ka nevojë për ndihmë, ne do të rregullojmë kufijtë, do të rregullojmë gjithçka. Do të luftoj për çdo qytetar, për familjet tuaja me çdo frymëmarrje të trupit tim për Amerikën e sigurt dhe të begatë që ju meritoni. Nuk do të pushoj derisa të çlirojmë Amerikën e fortë, të sigurt dhe të begatë që e meritojnë fëmijët tanë dhe që ju e meritoni. Kjo do të jetë vërtet epoka e artë e Amerikës.”, - deklaroi kandidati republikan për President, Donald Tramp.
ShBA-ja do të shërohet. Ne do të rregullojmë gjithçka në vendin tonë. Ne kemi kapërcyer pengesat që shumë menduan se ishin të pamundura për t'u kapërcyer, tha Trampi në fjalimin e tij të fitores.
“Detyra para nesh nuk do të jetë e lehtë, por unë do të sjell çdo grimcë energjie, shpirti dhe lufte që kam në shpirt. Kjo është gjëja më e rëndësishme në botë. Ashtu siç bëra në mandatin tim të parë. Ne patëm një mandat të parë të mrekullueshëm. Do të operoj me një moto të thjeshtë, premtime të bëra, premtime të mbajtura. Ne do ta mbajmë premtimin tonë. Asgjë nuk do të më ndalojë që ta mbaj fjalën ndaj jush, popullit.”, - theksoi kandidati republikan për President, Donald Tramp.
Zëvendësi i Trampit tha se ekipi republikan do të udhëheqë rimëkëmbjen më të madhe ekonomike në historinë amerikane.
“Sapo kemi qenë dëshmitarë të rikthimit më të madh politik në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Zoti President, faleminderit që më lejuat të bashkohem me ju në këtë rrugëtim të rëndësishëm.”, - u shpreh kandidati republikan për nënpresident, Xhejms Vens.
Fitoret e republikanëve janë pothuajse të paprecedentë në historinë amerikane. Është pushtuar i ashtuquajturi trekëndësh i pushtetit. Republikanët rifituan shumicën në Senat. Për herë të parë në katër vjet, ata do të kontrollojnë dhomën e lartë të Kongresit. Sipas parashikimeve, ata fituan edhe Dhomën e Përfaqësuesve të ShBA-së. Krahas zgjedhjeve presidenciale ka pasur edhe vota për guvernatorët dhe aty kanë fituar republikanët.
“Ne jemi të gatshëm të përballemi me sfidat. Republikanët kanë rimarrë kontrollin dhe ne do të kemi planin më agresiv për 100 ditët e para të parë në epokën moderne.”, - deklaroi kryetari i Dhomës së përfaqësuesve të ShBA-së, Majk Xhonson.
Zgjedhjet ishin të qeta, pa incidente të mëdha, megjithëse raportime të rreme për bomba u raportuan në disa shtete kyçe. Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve të ShBA-së, Trampi fitoi rreth 75 milionë vota, ndërsa Harrisi pesë milionë vota më pak.
FLUTURA LATIFI
