Maqedoni
Zgjedhjet presidenciale në ShBA, kreu shtetëror i RMV-së uron Trampin
06.11.2024 15:03
Udhëheqësia e vendit ka uruar Donald Trampin për fitoren në zgjedhjet presidenciale në ShBA....

Udhëheqësia e vendit ka uruar Donald Trampin për fitoren në zgjedhjet presidenciale në ShBA. Në urimin drejtuar presidentit të sapozgjedhur Tramp, presidentja Gordana Siljanovska Davkova tha se vendi do të vazhdojë të mbështesë përpjekjen amerikane për paqe, stabilitet dhe siguri.
“Maqedonia si mik dhe partner i dëshmuar i ShBA-së do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet për paqe, stabilitet dhe siguri, të bazuara në nevojën për drejtësi, respektimin e së drejtës ndërkombëtare, lirisë dhe dinjitetit të njeriut në botë.”, ka shkruar presidentja, Siljanovska Davkova.
Kryeparlamentari, Afrim Gashi, në urim ka shprehur gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin dhe për të forcuar partneritetin mes RMV-së dhe ShBA-së.
“Angazhimi i palëkundur i ShBA-së për sigurinë, prosperitetin dhe integrimin euroatlantik të Maqedonisë së Veriut ka qenë dhe mbetet një nga shtyllat kyçe të politikës sonë të jashtme dhe një burim i vazhdueshëm mbështetjeje.”, ka shkruar Gashi.
Kryeministri Hristian Mickoski, nga udhëheqësia e re e Shtëpisë së Bardhë pret përforcim të bashkëpunimit.
“Pres përforcim të bashkëpunimit të raporteve shumë të mira mes qytetarëve të Maqedonisë dhe ShBA-së. Kemi disa prioritete ekonomike dhe pres që ato prioritetet të përforcohen. Ne si Qeveri shprehim mbështetjen tonë që në një atmosferë demokratike zgjodhën presidentin e ri të ShBA-së.”, - theksoi kryeministri, Hristian Mickoski.
Forcim të bashkëpunimit në marrëdhëniet strategjike mes dy vendeve pret edhe zëvendëskryeministri i Parë, Izet Mexhiti.
“ShBA-ja mbetet aleati më i madh i vendit tonë. Si zëvendëskryeministër i Parë i Maqedonisë së Veriut shpreh gatishmërinë tonë të plotë për të forcuar edhe më tej marrëdhëniet strategjike ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara. Besojmë se nëpërmjet bashkëpunimit tonë të ngushtë, do të avancojmë përparimin ekonomik dhe sigurinë për vendin tonë!”, - theksoi zëvendëskryeministri, Izet Mexhiti.
Urimeve u janë bashkuar edhe liderët e partive opozitare. Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, shpreson që përqendrimi amerikan në Ballkan të vazhdojë.
“Uroj popullin amerikan dhe presidentin Tramp për zgjedhjen e tij të sotme dhe ndaj bindjen që përqendrimi amerikan në Ballkan do të vazhdojë të jetë i fortë si gjithmonë për t’i zgjidhur përfundimisht çështjet e hapura midis vendeve të Evropës juglindore.”, ka shkruar në rrjetet sociale lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.
Urim dërgoi edhe kreu i LSDM-së, Venko Filipçe.
“Jam i bindur se nën udhëheqjen e tij, partneriteti strategjik mes ShBA-së dhe Maqedonisë së Veriut do të vazhdojë dhe do të thellohet. Maqedonia e Veriut dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë lidhje shumëvjeçare të miqësisë dhe bashkëpunimit dhe besoj se ato do të zhvillohen edhe më tepër, drejt përparimit dhe mirëqenies sonë të përbashkët.”, thuhet në urimin e liderit të socialdemokratëve, Venko Filipçe.
SANIJE DURAKU
