MASh, u formua trupi koordinues për reforma në arsim
06.11.2024 16:00
Reformat në arsimin e lartë që kanë për qëllim rritjen e cilësisë...

Reformat në arsimin e lartë që kanë për qëllim rritjen e cilësisë në arsim, do të realizohen në bashkëpunim me trupin koordinues nacional, të formuar për këtë qëllim, që është pjesë e programit të Qeverisë.
Kështu deklaroi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, pas seancës konstituive të këtij trupi koordinues, ku është rënë dakord të nisë menjëherë puna për propozim-ligjin e arsimit sipëror.
"U dakorduam se një nga momentet më të rëndësishme është Ligji për arsimin sipëror, për të cilin do të fillojë puna menjëherë. Nga ky trup koordinues do të dalin reformat e rëndësishme, të cilat i nevojiten shtetit, e sidomos u janë të nevojshme të rinjve, që ardhmëria e tyre të sigurohet nëpërmjet arsimit kualitativ, me të cilin ata do të mund të përfshihen në tregun e punës dhe kontributin e tyre ta japin në shtetin e tyre.”, - deklaroi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.
Janevska njëherit theksoi se mjetet buxhetore për shkencë janë rritur nga 38 milionë në 68 milionë denarë, të cilat do t’u ndahen institucioneve shkencore, si dhe do të mbështeten projektet me të cilat do të konkurrojnë hulumtuesit, por edhe për bursat studimore të shkallës së dytë dhe të tretë.
Trupi koordinues për reforma në arsimin e lartë kryesohet nga ministrja Janevska, ndërsa përbëhet prej 30 anëtarësh, si profesorë universitarë, përfaqësues nga këshilli nacional për arsim, konferenca ndëruniversitare, përfaqësues të Odës Ekonomike dhe organizatave joqeveritare.
Po ashtu ministrja Janevska paralajmëroi përfshirjen edhe të organizatave studentore, si dhe sipas nevojës do të përfshihen edhe anëtarë të jashtëm, të cilët do të përfshihen në rritjen e kualitetit të arsimit të lartë. (Fitore Demolli, TVM2)
