Sholci e shkarkon ministrin e Financave, koalicioni qeverisës, buzë dështimit
Kancelari i Gjermanisë, Olaf Sholc...

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Sholc, njoftoi se e ka shkarkuar ministrin e Financave, Kristian Lindner, gjë që mund ta minojë koalicionin qeverisës trepartiak, i cili varet nga partia pro-biznesit e Lindnerit.
Sholci e bëri të ditur vendimin përmes një konference për media, pas disa javëve mospajtimesh në mesin e partnerëve të koalicionit për gjetjen e një mënyre për ta forcuar ekonominë e dobësuar të vendit.
Ai gjithashtu njoftoi se do të kërkojë votëbesim në janar. “Ndihem i detyruar ta ndërmarr këtë hap për ta parandaluar dëmtimin e vendit tonë. Ne kemi nevojë për një qeveri efektive, e cila e ka fuqinë për të marrë vendime të nevojshme për vendin tonë.”, tha Sholci.
Lindneri i kishte kundërshtuar rritjet tatimore apo ndryshimet në kufizimet e rrepta të Gjermanisë ndaj futjes në borxh. Partia Socialdemokrate e Sholcit dhe Të Gjelbrit, të cilat janë pjesë e koalicionit, duan të shohin investime të mëdha shtetërore dhe e hodhën poshtë kërkesën e Demokratëve të Lirë për shkurtimin e programeve të mirëqenies.
Nuk është e qartë nëse Demokratët e Lirë do të largohen nga koalicioni qeverisës pas këtij vendimi.
