Filloi shpërndarja e vauçerëve për inverterë, do të sigurohet ngrohje ekonomike
Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve minerale...

Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve minerale filloi t’i shpërndajë 6.182 vauçerë për blerjen e inverterëve. Prej tyre gjithsej 4.591 vauçerë në vlerë prej 23 mijë deri më 25 mijë denarë u dedikohen amvisërive me të ardhura normale, ndërsa përmes programit për mbrojtjen e konsumatorëve kanë filluar të shpërndahen edhe gjithsej 1.591 vauçerë të tjerë në vlerë prej 30 mijë denarësh për kategoritë e rrezikuara.
Shumë qytetarë, fitues të vauçerëve nga Shkupi, të cilët kishin ardhur herët në mëngjesë, ankohen për pritje të gjata.
“Këtu jam duke pritur 2 orë, kam ardhur që në orën 10:00 të mëngjesit, ndërsa për vauçer kam aplikuar më 06.02.2024. Shumë vonë më erdhi SMS-i i dytë se mund të vija ta marr vauçerin edhe gjatë ditët në vijim.”, - tha një qytetar.
“Vendosëm që të ndryshojmë ngrohjen gjatë dimrit, pasi që është më ekonomike që të ngrohesh me inverterë dhe energji elektrike se sa me dru. Drutë janë shumë të shtrenjta. Jam duke pritur tashmë 3 orë këtu.”, - tha një qytetar tjetër.
“Po, do të presim, pasi kemi ardhur këtu. S’kemi çfarë të bëjmë!”, - u shpreh një qytetar.
“Jam duke pritur rreth një orë e gjysmë, më kanë informuar se mundet edhe nesër të vijmë, mirëpo e njëjta gjë do të ndodhë edhe nesër, do të ketë pritje të gjata.”, - u shpreh një qytetar tjetër.
Ministrja e Energjetikës, Sanja Bozhinovska, tha se qëllimi i subvencionimit, është që Qeveria të mbështesë standardin jetësor të qytetarëve, duke u mundësuar atyre ngrohje më ekonomike, duke mbrojtur ambientin jetësor njëkohësisht.
Sa i përket pritjeve të gjata, Bozhinovska thotë se është normale, pasi që secili prej qytetarëve që janë fitues të vauçerëve duhet të nënshkruajnë kontratën.
Ata qytetarë të cilët nuk do t’i marrin vauçerët, këtë gjë mund ta bëjnë në zyrat e qendrës për punësim brenda qyteteve me të cilën Ministria e Energjetikës kishte nënshkruar memorandum për bashkëpunim ose në hapësirat e ministrisë për energjetikë.
“Pasi që qytetarët do të duhet të nënshkruajnë kontratën për marrjen e vauçerëve, proces ky i cili është pak më i gjatë, pasi që të këto kontrata do të duhen të kthehen përsëri në ministri, vlerësuam se kjo mënyrë e shpërndarjes sot është më e mirë dhe më efikase. Normalisht se deri në fund të këtij muaji ka mundësi për t’i marrë këto vauçerë në hapësirat e ministrisë apo në 30 lokacione tjera në brendësi të vendit, kështu që nuk ka nevojë të gjithë të vijnë në Shkup.”, - theksoi ministrja e Energjetikës, Sanja Bozhinovska.
Për këtë projekt u siguruan 4.1 milionë euro, ndërsa në shpalljen e publikuar për të dy thirrjet në shkurt të këtij viti kanë arritur rreth 18.800 aplikime. (Rexhep Qamili, TVM2)