Botë

Rama për zgjedhjen e Trampit: Të mos bëhemi histerikë

07.11.2024 15:01

Nga Budapesti ku ndodhet për samitin e 5-të të Komunitetit Politik Evropian....

Nga Budapesti ku ndodhet për samitin e 5-të të Komunitetit Politik Evropian, kryeministri Edi Rama e komentoi si pozitive për BE-në zgjedhjen e Donald Trampit në krye të Shtëpisë së Bardhë.
 
“Përvoja më thotë që kur ishte president dhe të gjithë thonin se NATO-ja do të bëhej më e dobët, NATO-ja u bë më e fortë. Kështu që le të mos bëhemi histerikë përpara se të shohim realitetin. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nuk mendoj që kjo do të jetë domosdoshmërish diçka e keqe për Evropën. Mund të jetë një gjë shumë e mirë për të.”, - deklaroi kryeministri, Edi Rama. 
 
Mendimin e tij lidhur me Trampin thotë se ia ka shprehur edhe presidentit të Ukrainës, Volodimir Zelenski.
 
“Ia kam thënë, mendoj që nuk është domosdoshmërish diçka për t'u shqetësuar për shkak të tij, por diçka për të reflektuar, për të bërë shumë më tepër për të pasur një Evropë shumë më të fortë.”, - theksoi kryeministri, Edi Rama.
 
Rama foli edhe për prioritetet e samitit të ardhshëm të Komunitetit Politik Evropian, që do të mbahet në Tiranë brenda 6 muajve të parë të vitit.
 
“Ndryshimi i klimës është i kudogjendur dhe në krye të përparësive të vendeve evropiane, sigurisht, por ka edhe çështje të tjera për të diskutuar. Ne jemi shumë krenarë që të kemi mundësi që ta mirëpresim këtë takim.”, - u shpreh kryeministri, Edi Rama.
 
Në Budapest do të diskutohet mbi sfidat e sigurisë me të cilat përballet Evropa në seancën plenare, që do të pasohet nga 4 sesione kryesore mbi temat e migracionit dhe sigurisë ekonomike.
 
LULJETA NDOKA