Fitorja e Trampit, Osmani: Mbështetja e ShBA-së do të vazhdojë
Nuk ka arsye që Kosova të mos e ketë mbështetjen e administratës...

Nuk ka arsye që Kosova të mos e ketë mbështetjen e administratës së re të presidentit amerikan, Donald Tramp. Kështu ka deklaruar presidentja, Vjosa Osmani, para gazetarëve në Budapest ku po merr pjesë në takimin e Komunitetit Politik Evropian.
“Kosova ka pasur përkrahjen bipartisane të secilës administratë amerikane. Që nga vitet e 90-ta kemi qenë të bekuar me një përkrahje të tillë dhe për këtë arsye kemi çdo arsye për të besuar që kjo përkrahje do të vazhdojë, gjithashtu me administratën e presidentit Tramp.”, - deklaroi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Osmani e Vuçiqi në Budapest, nuk do të ketë takim dypalësh
E pyetur nëse gjatë qëndrimit në kryeqendrën hungareze do të takohet edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Osmani ka thënë se nuk do të takohet me presidentin serb, pasi dialogu mes Kosovës dhe Serbisë zhvillohet në Bruksel.
“Jo, zakonisht nuk takohemi. Kosova dhe Serbia takohen në kuadër të Dialogut të udhëhequr nga BE-ja. Diskutimet po vazhdojnë në Bruksel në mes të kryenegociatorëve për atë se si mund të lëvizim përpara në implementimin e marrëveshjeve që janë arritur.”, - theksoi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Në margjina të samitit të Komunitetit Politik të Evropës, Osmani ka thënë se do të realizojë takime me liderët e shteteve tjera pjesëmarrëse. (Gyltene Sinani, TVM2)
