Maqedoni
Ahmeti takon ambasadorin Rokas, kërkoi zgjedhje të parakohshme
07.11.2024 15:39
Opozita shqiptare kërkon mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare...

Opozita shqiptare kërkon mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare së bashku me zgjedhjet lokale në tetor të vitit 2025. Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, kërkesën ia paraqiti ambasadorit të Bashkimit Evropian, Mihalis Rokas, në selinë e partisë në Tetovë, ku foli edhe për angazhimin eurointegrues të partisë së tij.
Sipas Ahmetit, politikat e gabuara të pushtetit imponojnë nevojën për zgjedhje të parakohshme.
“Marrëdhëniet ndëretnike janë rënduar shumë nga hapat e pamenduara të Qeverisë për gjuhën shqipe, përkatësinë etnike, përfaqësimin e drejtë dhe adekuat. Dialogu politik në vend duhet të respektojë legjitimitetin zgjedhor të përfaqësuesve legjitim të komuniteteve etnike, sepse kështu mundësohet stabilitet, siguri dhe kohezion shoqëror. Zgjidhje për këtë situatë të rënduar janë zgjedhjet e përbashkëta parlamentare dhe lokale në tetor të vitit 2025.”, thuhet në komunikatën e BDI-së.
Zgjedhjet e parakohshme, Qeveria kundër, shpenzim i shtetit
Ekzekutivi si ndahet qëndrimit se parlamentaret e parakohshme vetëm se do të rëndonin buxhetin.
“Si Qeveri, mbetemi në qëndrimin se zgjedhjet e parakohshme janë vetëm shpenzim shtesë.”, - deklaroi zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva.
LSDM: Miratimi varet nga pushteti
Socialdemokratët kritikojnë qasjen e kryeministrit, pas tërheqjes nga propozimi për zgjedhje. Nga LSDM-ja, edhe pse deklarohen të gatshëm për zgjedhje, vlerësojnë se mazhoranca ka fuqinë të iniciojë nismën.
“Siç po shohim Mickoski ditëve të fundit po del me deklarata të ndryshme, njëherë bëri thirrje për zgjedhje të parakohshme parlamentare, ndërkaq dje sikur u tërhoq nga kjo deklaratë. Ne jemi të gatshëm për zgjedhje, nëse ata duan, pasi ata janë në pushtet, nëse janë të gatshëm edhe ata për zgjedhje, atëherë gjithsesi se mund ta bëjnë këtë dhe ta hedhin hapin.”, - theksoi zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska.
Nga koalicioni VLEN vlerësojnë se deklarata e Mickoskit është nxjerrë nga konteksti dhe se vendi nuk ka nevojë për zgjedhje të parakohshme me një Qeveri stabile me 78 deputetë.
MERAL ISMAILI
