Maqedoni
Mbahet konferenca e tretë shëndetësore “Inkurajimi i vlerës sociale përmes kujdesit shëndetësor”
07.11.2024 16:14
Maqedonia e Veriut duhet ta shtojë investimin në shëndetësi ose t’i ulë shpenzimet e qytetarëve...

Maqedonia e Veriut duhet ta shtojë investimin në shëndetësi ose t’i ulë shpenzimet e qytetarëve për nevojat shëndetësore. Ky ishte mesazhi kryesor i folësve në konferencën e tretë shëndetësore të Odës Ekonomike Amerikane në Maqedoninë e Veriut.
“Padyshim nëse Fondi për Sigurim Shëndetësor është 800 milionë euro, ndërsa harxhimet në shëndetësi 1 miliardë e gjysmë, pra nuk paguhet e tëra nga burimet financiare publike, atëherë duhet të miratohet ndonjë vendim, që të dihet sa prej pacientëve paguajnë, a ka sistem që do t’i përzgjidhte pikërisht ata që kanë nevojë e jo drejtorë dhe ministri.”, - deklaroi drejtori i FSSh-së, Sasho Klekovski.
“Mund të konkludojmë se shkalla e shpenzimeve krahasuar me Bruto Prodhimin e Brendshëm është relativisht më e ulët se Evropa Perëndimore, por edhe me vendet e rajonit, siç është për shembull Serbia.”, - theksoi prof. dr Vim Grot nga Fakulteti i Ekonomisë Shëndetësore – Holandë.
“Më lirë është të investohet në kontrolle sesa të trajtohet sëmundja e kancerit, sëmundjet kardiovaskulare, diabeti, si dhe sëmundjet tjera. Në fund gjithçka varet në zgjedhjen që e bëjmë, mënyrën se si i shfrytëzojmë burimet financiare.”, - u shpreh Rita Kolumbia nga OKB-ja në RMV.
“Shëndeti është shpenzim në aspektin e sigurimit të shërbimeve shëndetësore dhe këtu nuk ka asgjë të kontestueshme dhe kjo kushton shumë. Megjithatë kur mendohet në aspekt shëndetësor si mjet për zhvillimin mjekësor për emancipimin e komunitetit për zhvillim social, për rritjen ekonomike dhe prosperitet, atëherë e ndryshoni fokusin e bisedës.”, - theksoi Akim Ali nga OBSh-ja.
Organizatorët me këtë rast inkurajuan që të rritet kujdesi shëndetësor, në mënyrë që të shtohen vlerat sociale për jetë. Pjesëmarrësit dhanë sugjerime për përmirësimin e kujdesit shëndetësor në mënyrë sistematike.
VLORA LATIFI TOPOJANI
