Maqedoni

VLEN-i akuza ndaj BDI-së, Bexheti deshqiptarizoi Qytetin e Shkupit

07.11.2024 16:33

VLEN-i reagon ndaj akuzave për korrupsion që integristët i adresojnë...

VLEN-i reagon ndaj akuzave për korrupsion që integristët i adresojnë çdo ditë koalicionit shqiptar në pushtet. Sipas tyre, pikërisht ata të BDI-së që flasin për pazarllëqe dhe korrupsion, janë arkitektët dhe përfituesit kryesorë të tij.
 
Nga VLEN-i akuzojnë BDI-në, konkretisht Blerim Bexhetin, se është sinkronizuar me dyshen antishqiptare, Arsovska – “E Majta” dhe kanë degraduar shqiptarët nga pozitat udhëheqëse, por edhe kanë deshqiptarizuar administratën e Qytetit të Shkupit. Ndërsa pretendojnë se me urdhër të Bexhetit, kryetarja Arsovska ka larguar 150 shqiptarë të punësuar në NP “Higjiena Komunale”. 
 
“Shqiptarët në administratën e Qytetit të Shkupit, nën udhëheqjen e BDI-së dhe satelitëve të Bexhetit janë të diskriminuar. Administrata e Qytetit është e organizuar në 20 sektorë. Asnjë nga këta sektorë nuk udhëhiqet nga kuadro shqiptarë. Falë BDI-së, shqiptarët, të cilët përbëjnë më shumë se 22% të popullsisë së qytetit janë krejtësisht të përjashtuar nga pushteti lokal. Gjithashtu, nga 92 pozita drejtuese në administratë, vetëm 8 janë të plotësuara nga shqiptarë.”, - deklaroi zëdhënësi i VLEN-it, Driton Sulejmani. 
 
BDI-ja akuzon VLEN-in për “Megavin”, Institucionet të hetojnë rastin menjëherë
 
Nga BDI-ja, për të tretën ditë radhazi, ripërsërisin akuzën se Mexhiti dhe Taravari janë përgjegjësit kryesorë të miratimit të interpretimit autentik të Ligjit për lojërat e fatit. Sipas Integristëve, kjo ka mundësuar që kompania serbo-bullgare “Megavin “ të përfitojë 100 milionë euro në kurriz të shtetit dhe qytetarëve. 
 
“Ky interpretim autentik nga 13 gushti i vitit 2024 tregoi se kazinoja e preferuar serbo-bullgare e Izet Megavin Mexhitit, ka organizuar në mënyrë tërësisht të paligjshme lojëra të fatit onlajn përmes platformës së tyre të internetit 2vin.mk, nga 1 janari 2017, kur Qeveria është udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja, deri në vitin 2024, duke e dëmtuar shtetin për dhjetëra milionë euro.”, - theksoi Kreshnik Bekteshi nga BDI.
 
Bekteshi i bëri thirrje Prokurorisë, Policisë Financiare, Ministrisë së Brendshme dhe Komisionit kundër Korrupsionit, që të veprojnë menjëherë.
 
SANIJE DURAKU