Maqedoni

Takimi i Bashkësisë Politike Evropiane, marrin pjesë edhe liderët rajonal

07.11.2024 17:14

Budapesti ka mbledhur rreth 50 kryetarë shtetesh dhe qeverish...

Budapesti ka mbledhur rreth 50 kryetarë shtetesh dhe qeverish nga e gjithë Evropa në kuadër të samitit të Bashkësisë Politike Evropiane. Liderët pjesëmarrës do të diskutojnë mbi sfidat e sigurisë me të cilat përballet Evropa, migracionit dhe sigurisë ekonomike.
 
Në fokus edhe situata politike në rajon, vendet e të cilit në takim po përfaqësohen nga liderët e Ballkanit Perëndimor. Kryetarja e Komisionit Evropian edhe në këtë forum ripërsëriti se Ballkani e ka vendin në BE.  
 
“Ne duam që Ballkani Perëndimor t’i bashkëngjitet Bashkimit Evropian dhe ne lëvizim procesin aderues, ndërsa tani është me rëndësi të punojmë së bashku në Planin e Rritjes, që në thelb do të thotë se BE-ja hap derën për Tregun e Përbashkët, ku vendet e Ballkanit Perëndimor vijnë me reforma.”, - deklaroi kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Lejen.
 
Mickoski në një vend me Radevin, Miteva: S’ka paralajmërim për takim
 
Në këtë forum ndërqeveritar për diskutime politike dhe strategjike vendi ynë po përfaqësohet nga kryeministri Mickoski dhe ministri për Eurointegrime, Murtezani. Përveç prezantimit të shefit të ekzekutivit në seanca të forumit, shanset janë që kryeministri Mickoski të takohet me presidentin bullgar Radev, por një gjë e tillë akoma nuk konfirmohet nga zëdhënësit e ekzekutivit vendor.
 
“Deri në këto momente nuk ka marrëveshje apo paralajmërim për një takim të tillë. Mbetemi në qëndrimin, siç ka thënë edhe kryetari Mickoski, se është i gatshëm për bisedë në secilën kohë, me secilin, me qëllim që të arrihet në fund të qëllimit.”, - theksoi zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva. 
 
Pritjet për një takim mes Mickoskit dhe Radevit vijnë pas një paralajmërimi të nikoqirit të ngjarjes, kryeministrit hungarez, Orban, i cili më herët pati thënë se si kryesues me Unionin do të përpiqet t’i ulë në tavolinë dy figurat politike fqinje, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje mes kontestit dypalësh, që momentalisht po pengon procesin eurointegrues të vendit.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU