Ndërroi jetë, Tahir Hani

08.11.2024 09:40

Pas një sëmundje, mbrëmjen e kaluar...

Pas një sëmundje, mbrëmjen e kaluar, ndërroi jetë veprimtari dhe politikani strugan, Tahir Hani. Lajmi është bërë i ditur nga familjar dhe miq të të ndjerit.

Tahir Hani u lind më 15 dhjetor të vitit 1961 në fshatin Veleshtë të Strugës. Ai gjatë kohës së studimeve në Universitetin e Prishtinës në vitin 1981 ishte kyçur në Lëvizjen Kombëtare, duke qenë edhe pjesë e demonstratave të asaj periudhe.

Më pas bashkë me shokët e tij u arrestua nga UDB, duke vuajtur disa vite burg. Ai ishte një veprimtar i shquar i Lëvizjes.

Hani më pas ka diplomuar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Tetovës .

Nga viti 2001 deri në vitin 2005 ka qenë kryetar i Komunës së Veleshtës, ndërsa në periudhën 2006-2011 i njëjti luante rolin e deputetit në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.

Nga viti 2011 deri në vitin 2013 ai ishte emëruar Zv.ministër i Transportit dhe Post-Telekomunikacionit, për të vijuar më pas (2013) edhe në postin e Ministrit të  Vetëqeverisjes Lokale.

Me aktivitete politike, i njëjtië vazhdoi edhe më pas, duke qenë së fundmi zëvendëssekretar i Qeverisë së RMV-së.