Zv.Kryeministri Fetai kërcënohet me jetë, informohet Ministri i Brendshëm, Toshkovski
Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai...

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai, përmes një postimi në “Facebook” ka thënë se është kërcënuar me jetë përmes një emaili. Fetai është shprehur se ky kërcënim ka ardhur pas deklaratës së tij të djeshme, për siç tha ai, mënjanimin e përkufizimit “20 për qind” për gjuhën shqipe.
“Nga kryeqendra evropiane, Brukseli, ndjehem i detyruar të reagoj për një kërcënim me jetë që kam pranuar në emailin tim zyrtar. Ky kërcënim erdhi pas deklaratës time të djeshme për mënjanimin e përkufizimit ‘20 për qind’ për gjuhën shqipe”.
Fetai tutje është shprehur se nuk mund të qëndrojë indiferent ndaj këtij kërcënimi, ndaj u shpreh se padia është në përgatitje.
“Nuk mund të qëndroj indiferent ndaj këtij kërcënimi. Njoftoj kërcënuesin dhe opinionin se e kam informuar personalisht ministrin e brendshëm, Pançe Toshkovski, duke kërkuar veprim dhe rritje të masave të sigurisë sime personale. Padia është në përgatitje, pasi kërcënuesit dhe ekstremistët duhet të marrin përgjigjen e merituar: dënim me burg sipas ligjeve në fuqi”.
