Filloi ndotja e ajrit, qytetet më të ndotura: Shkupi, Kërçova dhe Strumica

08.11.2024 14:12

Në vend ka filluar të ndjehet ndotja enorme e ajrit...

Në vend ka filluar të ndjehet ndotja enorme e ajrit. Gjatë mbrëmjes së kaluar stacionet matëse kanë regjistruar tejkalimin e pragut të pranisë së grimcave PM 10 në disa vende të Maqedonisë së Veriut.

Më alarmante ka qenë në kryeqytet ku stacioni matës ka regjistruar praninë e grimcave PM 10 për 197 miligramë për metër kub. Në listën e më të ndoturve radhiten edhe Kërçova, Strumica, Tetova, Kavadari, si dhe Kumanova. 

Qytetarët e Kumanovës thonë se ndotja më e madhe vërehet gjatë orëve të vona të natës dhe gjatë mëngjesit.

“Këtu nuk mund të merr njeri frymë. Njëjtë ka qenë dikur edhe sot. Ndoshta tani pak më shumë ndotje ka për shkak të numrit të madh të automjeteve, mirëpo ndotje gjithmonë ka pasur gjatë mbrëmjeve.”, - tha një qytetar.

Ndotja e ajrit veç më ka filluar të reflektohet negativisht mbi shëndetin e njeriut. Fluks i shtuar i qytetarëve vërehet në spitalin e Kumanovës, të cilët ankohen për frymëmarrje të vështirësuar.

“Në të shumtën e rasteve grimcat më të mëdha mbetën në hundë ku shkaktojnë rinisit kronik dhe sinusit, ndërsa grimcat më të vogla  hynë në grykën e fytit, kanë një kollitje irituese, mirëpo ka raste kur grimcat akoma më të vogla depërtojnë edhe më thellë në pjesën e poshtme të frymëmarrjes dhe shkaktojnë probleme më serioze.”, - theksoi mjekja, Nora Nikollovska.

Përndryshe, vendi ynë njihet për ajër jashtëzakonisht të ndotur, sidomos në muajit e dimrit kur temperaturat janë të ulëta. (Rexhep Qamili, TVM2)