Maqedoni

KShPK: Kostadinovska keqpërdori buxhetin

08.11.2024 14:59

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit ka iniciuar procedurë...

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit ka iniciuar procedurë deri tek organet kompetente për ish-ministren e Kulturës, Bisera Kostadinovska Stojçevska, për keqpërdorim të buxhetit. Sipas KShPK-së, ish-ministrja gjatë udhëtimit zyrtar në Londër dy vjet më parë ka shpenzuar 765 paund britanik për qëllime private dhe jo për qëllime zyrtare të udhëtimeve në Britani.
 
Akuzat ndaj Kostadinovskës fillimisht u bënë të ditura nga VMRO-DPMNE-ja, ndërsa ajo këto pretendime i ka cilësuar si përndjekje politike.
 
“Konfirmohen shfrytëzim i mjeteve buxhetore për qëllime private nga ana e ish-ministres në Qeverinë e RMV-së, që ka kryer funksionin nga periudha janar 2022 deri në qershor të vitit 2024. Për gjendjen e konstatuar, KShPK-ja do të veprojë në suaza të kompetencave ligjore dhe në bazë të Ligjit për parandalimin e korrupsionit do të iniciojë procedurë tek organet kompetente.”, - deklaroi anëtari i KShPK-së, Zoran Bogoevski.
 
Akademia e gjykatësve dhe prokurorëve, KShPK: Anëtarët e këshillave, të kundërligjshëm
 
Ndërkohë, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit me vetiniciativë ka hapur lëndë sa i përket zgjedhjes së anëtarëve të bordit drejtues të Akademisë së Gjykatësve dhe prokurorëve publik. Sipas KShPK-së, Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli i Prokurorëve me zgjedhjen e kryetareve të këshillave si anëtarë të bordit drejtues kanë vepruar në kundërshtim me ligjin.
 
“Propozoj të kërkohet nga Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli i Prokurorëve që të merren masa për tejkalimin e situatës së krijuar në mënyrë që para fillimit të mandatit të anëtarëve të ri të Bordit drejtues të Akademisë, më së voni para skadimit të afatit të bordit drejtues aktual 19.11.2024 t’i anulojnë vendimet e tyre, që janë në kundërshtim me Ligjin për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesave dhe Ligjin për Akademinë e Gjykatësve dhe Prokurorëve.”, - theksoi anëtarja e KShPK-së, Biljana Karakashova Shulev.
 
Këto akuza ditë më parë erdhën nga VMRO-DPMNE-ja, sipas të cilëve përveç zgjedhjes së kundërligjshme të këtyre anëtarëve, gjithashtu bëhet fjalë për anëtarë që familjarisht janë të afërt me LSDM-në.
 
FLORIJE KAMBERI