LSDM: Qeveria të pranojë pakon tonë për ulje të çmimeve

08.11.2024 15:28

Të dhënat e publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikave....

Të dhënat e publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikave tregojnë se çmimet e shitjes me pakicë në muajin tetor shënuan një rënie prej vetëm 0.1% dhe kjo është dëshmi se masat e Qeverisë nuk kanë dhënë aspak rezultat, thonë nga LSDM-ja.

Nga partia opozitare kërkojnë që të miratohet pakoja e tyre me të cilën sipas LSDM-së do të ulen çmimet, ndërsa do të rriten pagat e qytetarëve.

“Deputetët e VMRO-DPMNE-së dhe Qeverisë të pranojnë urgjentisht pakon e zgjidhjeve ligjore të LSDM-së. Të miratohet Ligji për rritjen e pagës minimale në 450 euro, të miratohet Ligji për heqjen e TVSh-së për ushqim, me të cilin qytetarët do të kursejnë deri në 2.000 denarë në muaj, urgjentisht të zbatohet Ligji për praktikat e padrejta tregtare për të parandaluar rritjen e re të çmimeve.”, - deklaroi Jovanka Trençevska nga LSDM.

VMRO-DPMNE: LSDM-ja dhe BDI-ja kanë keqpërdorur paratë shtetërore

Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE-ja akuzon Qeverinë e kaluar për keqpërdorime të parave shtetërore. Sipas VMRO-DPMNE-së, një sërë malverzimesh, skandalesh dhe aferash po zbulohen çdo ditë për qeverisjen shtatëvjeçare të LSDM-së dhe BDI-së, ndërsa rasti i fundit thonë se është me raportin e revizionit për prokurimin e mazutit nga CEMV-ja.

“ShA CEMV, përkundër faktit se nuk ka marrë mazut siç është paraparë në kontratë, në dy raste ka lidhur anekse me të njëjtin furnizues, duke rritur kështu vlerën e kontratës. Menaxhmenti i ShA CEMV toleroi dërgimin e karburantit me përzierje të një numri të madh papastërtish, të cilat shkaktuan keqfunksionime në pikën e karburantit. Pse menaxhmenti i ShA CEMV toleroi naftë me cilësi të ulët dhe dërgesë të keqe? Dhe pse, mbi këtë ata e aneksuan marrëveshjen dy herë? A ka punuar ish-drejtimi i ShA EMV për interesin privat të dikujt në vend të shtetit?”, - theksoi Brane Petrushevski nga VMRO-DPMNE.

Gjithashtu nga VMRO-DPMNE-ja pretendojnë se revizioni ka konstatuar keqpërdorime financiare edhe në Ministrinë e Financave. (Ersan Pajaziti, TVM2)