Tensionet mes Izraelit dhe Palestinës përshkallëzohen në rrugët e Amsterdamit

08.11.2024 15:49

Kriza në Lindjen e Mesme është zhvendosur edhe në ngjarje sportive...

Kriza në Lindjen e Mesme është zhvendosur edhe në ngjarje sportive. Tensionet mes palestinezëve dhe izraelitëve u përshkallëzuan në rrugët e Amsterdamit, pasi tifozët izraelitë u takuan nga protestuesit palestinezë jashtë stadiumit të Ajaksit pas një ndeshjeje të Ligës së Evropës.

Nga përleshjet në rrugë ka të vdekur dhe të plagosur. Kryeministri izraelit Netanjahu e quajti incidentin një "sulm të parainskenuar antisemitik". Dërgoi edhe avionë për të evakuuar qytetarët izraelitë.

“Ne jemi gati për fluturimin e shpëtimit në Amsterdam. Kjo më kujton qindra të rrëmbyerit nga Hamasi. Ne presim që ata të kthehen të sigurt në shtëpi sa më shpejt të jetë e mundur.”, - deklaroi piloti i “EL AR”, Lior Meir.

Dënimi i ashpër i dhunës ndaj qytetarëve izraelitë erdhi edhe nga presidenti izraelit, Herzog.

“Ne shikojmë me tmerr imazhet dhe videot tronditëse që shpresonim që nga 7 tetori se nuk do t'i shihnim më kurrë, progromi antisemitik, që po ndodh aktualisht kundër tifozëve të Makabi Tel Aviv dhe qytetarëve izraelitë në zemër të Amsterdamit në Holandë.”.

Policia holandeze nisi një hetim të gjerë për të gjetur personat e përfshirë në dhunë, ndërsa dhjetëra persona janë arrestuar deri më tani. Një reagim i ashpër erdhi nga autoritetet holandeze, duke i cilësuar trazirat në rrugë si sulme antisemite krejtësisht të papranueshme.

“Pamjet dhe raportimet që po dëgjojmë janë absolutisht skandaloze dhe të dënueshme. Duhet bërë gjithçka për të gjetur dhe ndjekur penalisht autorët. Kjo është thjesht dhunë antisemite kundër izraelitëve. Fakti që kjo po ndodh në vitin 2024 kundërshton përshkrimin dhe është jashtë proporcionit.”, - theksoi kryeministri i Holandës, Dik Shuf.

Incidenti trazoi edhe shpirtrat e nacionalistëve në radhët holandeze. Deputeti Gert Uilders nga Partia e Lirisë kërkoi deportimin e banditëve, duke i quajtur llum multikulturor. (Flutura Latifi, TVM2)