Maqedoni
Përfaqësimi i drejtë dhe adekuat, Minçev: Zgjidhja e re ligjore do të jetë kushtetuese
08.11.2024 16:40
Ekspertët vazhdojnë të punojnë në zgjidhjen e paralajmëruar ligjore për përfaqësim...

Ekspertët vazhdojnë të punojnë në zgjidhjen e paralajmëruar ligjore për përfaqësim të drejtë të komuniteteve etnike që në të ardhmen do të jetë zëvendësues i “balancuesit”.
Ministri i Administratës, Goran Minçev, tha se nuk është pjesë e grupit punues dhe nuk e din se kur dhe çka do të përmbajë propozim-ligji, por beson se ekspertët do të ofrojnë një zgjidhje ligjore shumë më të mirë se sa politikanët.
Minçevi potencoi se përfaqësimi i drejtë është kategori kushtetuese dhe kjo duhet të respektohet, ndërsa propozim-ligji para se të miratohet patjetër të dorëzohet për mendim në Komisionin e Venecias.
“Përfaqësimi i drejtë është kategori kushtetuese dhe në kuadër të Qeverisë ekziston grup ekspertësh, i cili thekson, sugjeron, nënvizon dhe ndoshta jep propozime për një zgjidhje të re ligjore. Ekskluzivisht ekspertë punojnë në këtë fushë me qëllim që ky ligj të jetë ashtu siç duhet, gjegjësisht sërish të mos jetë ligj i cili do t’i nënshtrohej shfuqizimit eventual të neneve ose dispozitave nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Nuk mund t’ju them se në cilën fazë janë zgjidhjet e këtilla ligjore.”, - deklaroi ministri i Administratës, Goran Minçev.
Reformat në administratë, Minçev: Zgjidhja është formimi i akademisë për riedukim
I pyetur se paralajmërimet për reforma a nënkuptojnë reduktim të numrit të administratorëve, Minçevi tha se zgjidhje më e mirë është riedukimi i tyre. Ministri tregoi tri zgjidhjet ligjore, ku si risi veçoi propozimin për themelimin e akademisë aftësim të administratës publike.
“Unë jam më shumë pro variantit që zyrtarët jokompetentë të riedukohen. Ka zgjidhje të tjera, por mund të jetë interesante që një pjesë e administratës publike të reduktohet natyrshëm, në bazë të daljes në pension, duke dalë nga administrata publike. Sigurisht që është temë e debatit. Ofrojmë zgjidhje që është e re në RMV, formim të Akademisë për riedukim dhe trajnim të administratorëve. Problemet që do të detektohen nëpër institucione, ata të dërgohen në riedukim ose shpërndahen administratorë në ato vende që do të jenë të aftë të mbarojnë punën.”, - theksoi ministri i Administratës, Goran Minçev.
Për kërkesën e sindikatave, baza e përllogaritjes të jetë rroga mesatare dhe jo minimalja. Ai tha se nuk mund të përmbushen kërkesat e të gjithëve, por mund të gjendet baraspeshë e mirë që do t’i përmbushë kërkesat e palëve që negociojnë. Këto komente, Minçevi i bëri pas takimit me grupin sektorial të punës për reformë të administratës publike.
SANIJE DURAKU
