Maqedoni
Personat me aftësi të kufizuar, autikët janë të përjashtuar nga Ligji për punësim
08.11.2024 16:58
Personat me autizëm janë të përjashtuar nga sistemi dhe punësimi...

Personat me autizëm janë të përjashtuar nga sistemi dhe punësimi për këtë kategori thuaja se është i pamundur në institucionet e shtetit, për shkak se nuk janë të përfshirë në ligj, thotë zëvendësavokatja e Popullit, Vaska Bajramovska Mustafa.
Problem kanë edhe në arsim, përfshirja në procesin arsimor me nxënësit tjerë i bën ata pre e bullizmit, gjithashtu mungojnë asistentët personal dhe janë të diskriminuar.
“Jo të gjithë personat me aftësi të kufizuara kanë të drejtë t’i shfrytëzojnë benifitet që ofron ligji. Nëse shikoni rregulloren për këta persona, do ta vëreni se personat me spektër autizmi janë të përjashtuar nga definicioni i asaj që është paraparë me ligj dhe konventë. Janë përfshirë disa lloje të aftësisë së kufizuar, ndërsa autikët janë lënë jashtë. Në njëfarë forme ato nuk gëzojnë të drejtë për të punuar në ndonjë institucion shtetëror. Kërkuam nga Qeveria që ta rishikojnë këtë boshllëk ligjor dhe të ndërhyjë për ndryshimin e ligjit.”, - deklaroi zëvendësavokatja i Popullit, Vaska Bajramovska Mustafa.
Në vitin 1941 u hap qendra e parë për personat e shurdhër në Manastir, që nga ajo kohë ka institucione të shumta për personat me aftësi të kufizuara, por nevojiten më shumë investime, thotë kryetari i Lidhjes së Edukatorëve Specialist dhe Rehabilitatorëve, Petrushev. Ekziston ndërgjegjësimi i autoriteteve vendore, por jo gjithmonë kanë fonde të mjaftueshme.
“Nuk mund të themi se kemi bërë mjaftueshëm dhe të ndalojmë me kaq, duhet patjetër t’i hapim dyert në të gjitha institucionet. Personat me nevoja të veçanta duhet të hynë në të gjitha institucionet e shtetit. Para së gjithash duhet të kenë një arsim më cilësor.”, - theksoi kryetari i Lidhjes së Edukatorëve Specialistë, Goran Petrushev.
“Ne jemi komuna e parë që punëson person me sindromën daun, gjithashtu kemi të punësuar edhe persona me shikim të dëmtuar. Gjithashtu mund të them se jemi ndër komunat e pakta që kemi siguruar shtigje të qasshme fillimisht në institucion.”, - u shpreh kryetari i Kisella Vodës, Orce Gjorgjievski.
Nga Sindikata i bëjnë apel MASh-it, që të përfshihen në grupet e punës gjatë hartimit të ligjeve të reja. Ata thonë se disa nga propozimet e tyre tashmë janë pranuar.
FARIJE DAUTI BAKIJU
