Maqedoni

Koroshishta e Strugës, zbulimi arkeologjik, gjenden artefakte të çmuara

08.11.2024 17:17

Në një zbulim arkeologjik epokal në një vend në fshatin Koroshishtë të Strugës...

Në një zbulim arkeologjik epokal në një vend në fshatin Koroshishtë të Strugës janë gjetur njëqind artefakte të çmuara, dy unaza ari, më shumë gjësende dhe stoli ari.
 
Bëhet fjalë për një varr monumental, përkatësisht dy varre të një burri dhe një gruaje, që supozohet se vijnë nga elita, aristokracia, duke pasur parasysh dhuratat e pasura që gjenden në varr. Sipas arkeologëve, ky është një moment historik si për arkeologjinë ballkanike, ashtu edhe për atë evropiane.
 
“Të gjitha gjetjet tjera aty tregojnë se i ndjeri që është varrosur aty dhe arkitektura e varreve do të thoja është mbresëlënëse, 7.5 metra e gjatë dhe 4.5 metra e gjerë. Kjo i kalon deri tani të gjitha nekropolet arkaike të njohura në Ballkan, jo në Maqedoni. Fundi i varrit është 5 metra i thellë dhe mund ta imagjinoni se sa mund dhe përkushtim është dashur.”, - deklaroi arkeologu, Pero Arjanliev. 
 
Nekropoli arkaik i Koroshishtës u bë objekt i interesit të Muzeut Arkeologjik katër vjet më parë, kur një pronar fushe gjeti aksidentalisht një helmetë bronzi, të cilën ia dorëzoi Institutit dhe Muzeut të Ohrit.
 
“Lokaliteti i hulumtuar i këtij vendi është një nekropol i periudhës arkaike, shekulli VI para Krishtit, i cili në shumë mënyra i ngjan nekropolit të njohur të Trebenishkës, i cili ndodhet në afërsi. Me këto zbulime, ne jo vetëm po zgjerojmë kontekstin tonë historik, por po forcojmë pozicionin tonë si aktor i rëndësishëm në skenën arkeologjike rajonale, ballkanike dhe evropiane.”, - theksoi ministri i Kulturës, Zoran Lutkov.
 
"Ne do t'i konservojmë objektet këtu në Institutin dhe Muzeun e Ohrit dhe pastaj shpresojmë, siç jemi marrë vesh këto ditë, se ndoshta nëse vazhdojmë me hulumtimin, do të kemi nevojë për një muze të ri të kulturës arkaike në Maqedoni.", - u shpreh drejtoresha e Muzeut Arkeologjik, Sllavica Babamova.
 
Vendi është i siguruar dhe i mbrojtur siç duhet, vendndodhja e tij e saktë nuk i zbulohet publikut për ta mbrojtur atë nga gjuetarët e thesarit të egër. Kërkimet arkeologjike do të vazhdojnë dhe në të ardhmen. Arkeologët presin më shumë varre me gjetje të pasura arkeologjike.
 
FITORE DEMOLLI