Maqedoni

Agjenda reformuese në komisionin amë të Kuvendit, Rokas: Plani, dëshmi e BE-së për integrimin e Ballkanit

08.11.2024 17:49

Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor iu mundëson partnerëve...

Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor iu mundëson partnerëve të Bashkimit Evropian përshpejtimin e reformave dhe mundësi për investime, që ndikojnë drejtpërdrejt në përafrimin me BE-në, tha shefi i delegacionit të BE-së në vend, Mihalis Rokas, i cili njëherit këtë program financiar me implementim trevjeçar e quajti si dëshmi të përqendrimit të Unionit për zgjerimin e tij me vendet e Ballkanit.
 
“Kjo është një ofertë gjithëpërfshirëse nga Komisioni Evropian për Ballkanin Perëndimor, me qëllim që të arrihen dhe përmirësohen kushtet socio-ekonomike. Përfshin qasje progresive drejt tregut të vetëm të BE-së, e kushtëzuar nga progresi i tregut të përbashkët rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe mekanizma për t’i stimuluar këto reforma. Plani për Rritje është dëshmi e qartë e përkushtimit të BE-së ndaj partnerëve tanë në Ballkanin Perëndimor, se ka rrugë për aderimin në Bashkimin Evropian.”, - deklaroi euroambasadori, Mihalis Rokas.
 
Davkova: Prioritet të kenë projektet më me rëndësi
 
Shefja e shtetit, Gordana Siljanovska Davkova, duke folur në  komisionin parlamentar për çështje evropiane  mbi këtë temë, propozoi që përparësi t’u jepet  projekteve me interes për shoqërinë.
 
“Ekziston vendim implementues, pra kemi kornizë ligjore evropiane dhe tani duhet korniza jonë ligjore që e di se është në procedurë dhe do të përfundohet, dhe çfarë rekomandoj unë për të cilën kjo është jetë dhe profesion? Duhet të shohim që të mos ngarkohemi me shumë projekte, sepse është shumë me rëndësi të vendosen prioritete, sepse nuk mundet të gjitha të jenë të së njëjtës rëndësi.”, - theksoi kryetarja e shtetit, Gordana Siljanovska Davkova.
 
Agjenda Reformuese, e cila mundëson qasje në mjetet financiare prej 750 milionë eurove kërkon nga ne avancim në sistemin e drejtësisë, ekonomisë dhe luftim kundër krimit dhe korrupsionit, sqaron ministri për Eurointegrime, Orhan Murtezani, cili njëherit potencon zinxhirin e institucioneve, që duhet të bashkëpunojnë në zbatimin e reformave.
 
“Zbatimi i Agjendës Reformuese së bashku me harmonizimin e vazhdueshëm  të sistemit tonë ligjor dhe institucional me këtë të BE-së, do të sigurojë bazë të nevojshme për integrim të përshpejtuar në BE. Agjenda reformuese për periudhën 2024 -2027 së bashku me skriningun dhe raportet e detajuara për të gjithë klasterët dhe udhërrëfyesin për sundimin e së drejtës, reformat në administratë, vendosin prioritete të qarta për Qeverinë. Zbatimi i këtyre reformave do të kërkojë përpjekje kolektive, jo vetëm nga Qeveria  dhe Kuvendi, por edhe nga sektori privat dhe shoqëria civile.”, - u shpreh ministri për Eurointegrime, Orhan Murtezani. 
 
Fushat prioritare të Agjendës Reformuese kapin reformat në administratën publike dhe financat publike, tranzicionin e gjelbër dhe energjetikën, kapitalin njerëzor, mjedisin e biznesit dhe sundimin e së drejtës.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU