Maqedoni

Vazhdimi i eurointegrimeve, Mickoski: Bisedoj me liderë evropian, jam optimist

09.11.2024 14:26

Kryeministri Hristijan Mickokski nuk komenton drejtpërdrejtë deklaratën e eurokomesares së zgjedhur për zgjerim Marta Kos...

Kryeministri Hristijan Mickokski nuk komenton drejtpërdrejtë deklaratën e eurokomesares së zgjedhur për zgjerim Marta Kos, e cila tha se Maqedonisë së Veriut nuk i kërkohet as më pak dhe as më tepër se ndryshimet kushtetuese. Shefi i ekzekutivit me përgjigje të shpërqendruar prej temës. Thotë se është optimist për hapjen e dyerve për integrim të plotë në BE pas shumë viteve, dhe, kjo si rezultat i bisedimeve të vazhdueshme të tij me politikanët me ndikim ndërkombëtar.
 
“Jam i bindur se në periudhën që vjen në bisedime të përbashkëta,  përfundimisht pas dy dekadave e gjysëm,  rruga e Maqedonisë deri në anëtarësimin e plotë në BE do të jetë e hapur dhe vlerësimi do të jetë në bazë të konkurrencës dhe  të të arriturave, e jo në bazë të çështjeve bilaterale, dhe, unë jam i bindur se do të kemi sukses. Optimizmi e kam në bazë të takimeve në këto 5 muaj si qeveri me liderët relevant botëror për një kohë të shkurtër, gjë që më herët s’ka qenë e mundur në asnjë mandat.”, tha kryeministri Hristijan Mickokski.
 
Ndryshimet kushtetuese deri në dhjetor, Gashi: S’kam përgjigje, duhet vullnet politik 
 
Ndërkohë ndryshimet kushtetuese mbeten peng në shtëpinë legjislative. Kryetari i kuvendit Afrim Gashi pa përgjigje nëse deri në dhjetor mund të fillojë procedura e ndryshimeve kushtetuese. 
 
“Mund edhe të themi edhe mos të themi. Nëse diçka nuk varet prej nesh, nuk mundemi bindshëm të themi nëse mund të ketë ose jo... Kur të ketë, unë besoj të informohem dhe menjëherë ta nisim procedurën. Pjesa e dytë që ka të bëjë me vullnetin politik, kjo është më tepër çështje e aktorëve politik, liderëve të partive politike, të shumicës apo dy të tretës së votave që duhet t’i miratojnë ndryshimet kushtetuese, gjë për të cilën nuk jam i thirrur  të përgjigjem.”, tha kryetari i kuvendit Afrim Gashi.
 
Gashi shton se aspekti teknik, respektivisht komisioni amë dhe shërbimet janë të gatshme dhe presin të pranojnë propozim për ndryshimet kushtetuese, të cilën më pas e vënë në rend dite.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU