Maqedoni

Rikapitalizimi i CEMV-së: Zgjidhje apo rrezik për pavarësinë energjetike?!

09.11.2024 17:07

Si do të përballojë Maqedonia sfidat energjetike dhe presionin për një kalim drejt burimeve të qëndrueshme?

Si do të përballojë Maqedonia sfidat energjetike dhe presionin për një kalim drejt burimeve të qëndrueshme? Me një krizë të thellë në sektorin energjetik dhe nevojën për investime të reja, diskutimet për rikapitalizimin e CEMV-së marrin një vëmendje të veçantë.
 
Rikapitalizim në përgjithësi nënkupton që një kompani e caktuar i jep para, në këtë rast CEMV-së për modernizimin apo ndërtimin e objekteve të reja energjetike, ku ky investitor nuk kërkon kthimin e parave, por merr një pjesë të pronësisë së CEMV-së.
 
Se a mendohet për rikapitalizim pyetëm ministrinë e energjetikës, nga ku nuk u përgjigjën konkretisht rreth pyetjes tonë, ndërsa nga kompania në fjalë theksojnë se për dalje nga kriza do të marrin edhe kredi dhe pastaj do të shqyrtojnë për investime.
 
“Kredia është për 10 vjet me një periudhë mospagimi prej 2 vitesh, e përfshirë në kushte të favorshme tregu. Me këtë kredi dhe afat pagese, ShA CEMV do t'i lejojë vetes hapësirë për konsolidim dhe ristrukturim financiar. Nëpërmjet konsolidimit, kjo shoqëri aksionare shtetërore do krijon terren për të nisur një cikël investimi në projektet energjetike, në bashkëpunim me institucionet financiare ndërkombëtare.”, thonë nga Sh.A “CEMV”.
 
Nga Komisioni Rregullator për Energjetikë vlerësojnë se opsioni për rikapitalizim duhet të shqyrtohet me shumë vëmendje. 
 
“Duhet të kemi një strategji shumë të qartë dhe ta bëjmë me shumë kujdes në mënyrë që shteti mos të humb kontrollin mbi këtë kompani të rëndësishme. Deri tani Maqedonia ka më një histori  ku ka bërë privatizime në sektorin e energjisë, privatizimi I shpërndarjes së energjisë elektrike, i derivateve të naftës, nxemjes qëndrore, prandaj them se duhet të kemi shumë kujdes në raportin që do të ketë kompania private dhe ndikimi i Qeverisë në këtë kompani.”, tha Merita Dema nga komisioni rregullator për energjetikë.
 
Për ekspertin e energjetikës Kushtrim Ramadani rikapitalizimi i CEMV-së nuk do të paraqiste problem, por shprehet skeptik se ndonjë kompani do të kishte investuar. Propozimi i tij është ndërtimi i centraleve elektrike të kombinuara me gaz.
 
“Duke e ditur se centralet elektrike me thëngjil nuk kanë ardhmëri. Për vendin tonë do të kishte qenë ndërtimi i disa centraleve elektrike të kombinuara me gaz, në vend të centraleve elektrike në Manastir, pasi ekziston infrastruktura, ku mund energjia elektrike të futet në rrjet dhe të shfrytëzohet për ngrohjen e qytetit të Manastirit. Disa centrale të vogla të bëhen edhe në Shtip, në Shkup edhe një dhe duke vazhduar pastaj në Tetovë, mes Tetovës dhe Gostivarit dhe pse jo edhe në Osllomej në Kërçovë, pasi edhe atje ekziston infrastruktura e rrjetit dhe mund që qyteti i Kërçovës të furnizohet edhe me energji termike, ngaqë kjo e bën më konkurrues edhe çmimin e energjisë elektrike.”, tha ekperti i energjetikës Kushtrim Ramadani.
                                                                           
Me këtë pajtohen edhe nga Ministria e Energjetikës, nga ku për TVM2 thonë se gazi do të përdoret si bazë për prodhimin e energjisë elektrike.
 
“Me gazifikimin e plotë të vendit, plani është ndërtimi i termocentraleve të reja të kogjenerimit dhe përshtatja/shndërrimi i termocentraleve ekzistues në kapacitete gazi. Pritet që gazi të përdoret si lëndë djegëse në tre dekadat e ardhshme dhe të jetë bazë për braktisjen e plotë të përdorimit të lëndëve djegëse fosile për prodhimin e energjisë elektrike.”, theksojnë nga Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale. 
 
Me këtë kontribut, TVM2 i bashkohet nismës për rritjen e transparencës së institucioneve që Instituti për Studime të Komunikimit e zbaton në kuadër të projektit "Përdor Faktet", i cili financohet nga Ambasada e Britanisë së Madhe në RMV.
 
ERSAN PAJAZITI