Maqedoni

Në Mateç të Likovës më 28 nëntor pritet hapja solemne e Shtëpisë së Kulturës

10.11.2024 12:55

Në fshatin Mateç të Komunës së Likovës, pas pothuaj se 22 viteve më në fund Shtëpia e Kulturës po bëhet realitet....

Në fshatin Mateç të Komunës së Likovës, pas pothuaj se 22 viteve më në fund Shtëpia e Kulturës po bëhet realitet. Edhe pse e shkatërruar tërësisht gjatë luftës së vitit 2001, e njëjta prap u rindërtua tërësisht. Ky institucion kulturor është një kërkesë e kahmotshme e artdashësve të rajonit të Likovës dhe mjaft e pritur dhe e dëshiruar nga shoqatat dhe aktivist të dalluar të artit dhe kulturës.
 
“Çdo takim që kam patur me SHKA ”Jeta e Re”, me Korin Komunal “Zejadin Ismaili”, me artist e me grupe të tjera që veprojnë në komunën tonë ka qenë kërkesë e domosdoshme për shkak se në komunën tonë nuk kemi ndonjë objekt tjetër i cili është i përshtatshëm për këtë veprimtari. Këtu ku jemi kemi Shtëpinë e Kulturës ku ka pjesën administrative, para objektit Lamella 1 e cila u është dhënë në shfrytëzim të gjitha shoqërive apo organizatave që merren me aktivitete të ndryshme kulturore e artistike si dhe shoqatave të ndryshme.”, tha kryetari i Komunës së Likovës, Erkan Arifi.
 
Arifi na njoftoi me veçoritë si dhe kushtet e Shtëpisë së Kulturës që do të jenë në shërbim të artdashësve me qëllim që në mënyrë sa më të mirë të mundshme t’i kryejnë veprimtaritë artistike, ai gjithashtu na njoftoi edhe me datën në të cilën do të inaugurohet ky projekt kapital. 
 
“Këtu jemi tek salla e cila do të ketë 440 ulëse, ka sallë për simpoziume, pjesën administrative, nyjet sanitare, zhveshtoret, gjithçka që i duhet institucionit Shtëpi e Kulturës, si dhe kemi paraparë të bëjmë izolimin e objektit me efikasitet energjetik dhe me 28 nëntor të gjithë së bashku do i gëzohemi këtij projekti kapital për banorët e komunës tonë pasiqë do të kemi Shtëpi të Kulturës sipas standardeve Evropiane.”, tha Arifi.
 
Ndryshe, kur jemi tek festat e nëntorit, në komunën e Likovës, nën patronazhin e kësaj komune e në bashkëpunim me Çerdhen, Shkollat fillore si dhe shkollën e mesme, do të realizohen aktivitete të shumta në nderim të ditës së Alfabetit si dhe ditës së Pavarësis së Shtetit Shqiptar më 28 nëntor.
 
FATLUM AQIFI