Maqedoni

Menduh Thaçi: Në bisedimet në Bruksel, të përfshihen dy partitë shqiptare

29.04.2015 13:49

Kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi, kërkon që në bisedimet në Bruksel për tejkalimin e krizës politike...

Kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi, kërkon që në bisedimet në Bruksel për tejkalimin e krizës politike, që aktualisht po zhvillohen vetëm në mes dy partive maqedonase, VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së, të përfshihen edhe PDSh dhe BDI.
 
Sipas tij, negociatat për tejkalimin e situatës duhen zhvilluar mes 4 forcave kryesore politike në vend.
 
Thaçi këto qëndrime i ka prezantuar para anëtarëve të delegacionit të Komisionit Monitorues të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku është biseduar për zhvillimet aktuale në Maqedoni, incidentin në Goshincë dhe krizën politike.
 
“Maqedonia ndodhet para një sfide shumë të madhe, ndaj rikthimi i dialogut të mirëfilltë politik mes forcave kryesore politike është me rëndësi të veçantë”- ka thënë Thaçi.
 
Ai njëherit ka siguruar bashkëbiseduesit se gjatë këtij procesi tejet delikat, partia që drejton ai do të vazhdojë me politikën e saj konstruktive dhe të përgjegjshme dhe nuk do të bëhet pre e aventurave të mundshme që do ta dëmtonin demokracinë dhe perspektivën euroatlantike të shqiptarëve dhe të vendit në përgjithësi. 
 
Delegacioni i Komisionit monitorues të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i përbërë nga Stefan Shenah, Robert Valter dhe Andreas Gros ka takuar edhe sekretarin e përgjithshëm të BDI-së, Abdylaqim Ademin.