Maqedoni

Mexhiti në Baku: Mundësi për të siguruar investime të gjelbra

11.11.2024 09:28

COP29 është një ngjarje globale që mbledh së bashku liderë botërorë dhe ekspertë nga mbi 70 vende....

Nënkryetari i parë i Qeverisë dhe ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti dhe ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, në kuadër të delegacionit të lartë shtetëror të kryesuar nga presidentja, Gordana Siljanovska Davkova, po merr pjesë në Konferencën e 29-të të Kombeve të Bashkuara për ndryshime klimatike COP29, në Baku, Azerbajxhan.

COP29 është një ngjarje globale që mbledh së bashku liderë botërorë dhe ekspertë nga mbi 70 vende. Tema e këtij samiti është “Investimi në një të ardhme të qëndrueshme”, me fokus në transformimin e energjisë dhe mbrojtjen e mjedisit përmes inovacionit dhe teknologjive të reja.
 
Ky samit vjetor ofron një platformë kyçe për vendet për të koordinuar përpjekjet për të reduktuar emetimet dhe për të promovuar burimet e rinovueshme. Ky samit  paraqet një mundësi për Maqedoninë për të krijuar partneritete të reja ndërkombëtare dhe për të siguruar investime të reja në burimet e rinovueshme dhe infrastrukturën e qëndrueshme të energjisë, të cilat do të kontribuojnë në arritjen e qëllimeve afatgjata klimatike dhe zhvillimin ekonomik.